Enton Abilekaj
Kur Lulzim Basha largoi protestuesit nga përplasja në Ministrin e Brendshme, mbështetësit e opozitës nuk e fshehën zhgënjimin. U tha se ishin diplomatët e huaj që kërkuan ndërhyrjen për të qetësuar situatën. Mund të ketë qenë edhe kështu, por situata nuk ishte aq e papritur sa të habiteshin diplomatët e huaj, apo të bënte sikur nuk e dinte Basha. Përpara protestës, të gjithë drejtuesit e opozitës, deklaronin se nuk do të ketë tërheqje pa dorëheqjen e Xhafës, se protestën do ta drejtonte populli, opozita vetëm sa e organizonte. Këto paralajmërime ishin të natyrshme për atë që kishte ndodhur në më shumë se dy javë. Që nga fillimi I denoncimit të cështjes Xhafaj, me akuzat, audiopërgjimet dhe dëshmitarët, opozita përdori gjuhë të ashpër, lëshoi akuza të forta, ndërtoi një kauzë që nuk mund të përfundonte pa realizimin e kërkesës për largimin e Ministrit. Këtë mesazh e kishin marrë të gjithë, por më shumë ata që iu përgjigjën thirrjes për protestë dhe nuk largoheshin nga beteja në Ministrinë e Bredshme. Në këtë kontekst, ata që përlesheshin me forcat speciale, nuk habitën askënd.
Ai që habiti ishte Lulzim Basha, i cili bëri të kundërtën e asaj që tha për më shumë se dy javë. U tha shqiptarëve si fillim se Fatmir Xhafaj nuk esktradon vëllain e dënuar në Itali, pastaj tha se shfrytëzoi mandatin e deputetit për të të ndryshuar papritur nenin 491 të procedurës penale, që të mos lejohej ekstradimi, pastaj u tha që ai si ministër nuk e arreston për ta cuar në Itali që të vuajë dënimin, më pas doli audiopërgjimi dhe ministri u akuzua që i kishte krijuar kushtet vëllait për tu marrë me trafik droge. Kur Agron Xhafaj iku në Itali, e akuzuan Fatmirin që e kishte mundësuar këtë, për të shmangur skandalin e trafikut që doli nga audiopërgjimi. Për dy javë, këto bindën të paktën ata që ishin dje në protestë, se Fatmir Xhafaj është bashkëpunëtor në krim dhe kurrsesi nuk mund të qëndronte në krye të Ministrisë së Brendshme. Pas luftës politike në Kuvend, me bojkotimin e komisioneve dhe seancave, me deklaratat dhe spektaklet, protesta u thirr si arma e fundit për të detyruar, Xhafën të dorëhiqej, ose Ramën ta shkarkonte. Ishte vetë Basha që i ngarkoi protestës barrën e largimit të Xhafajt, si kulmim të aksionit që kishte nisur.
Retorika e ashpër politike, nxiti aksionin e ashpër të pjesëmarësve. Dukej sikur protestuesit e kishin kuptuar mesazhin, deri kur Basha i largoi nga beteja pa realizuar qëllimin. Retorika e ashpër politike përfundoi me një aksion të vakët, të trembur, të paorganizuar. Ai që denoncoi publikisht dhe pastaj, duke akuzuar Prokurorinë mori atributet e saj duke ngritur akuzën e duke bërë pretencën dhe pastaj, duke injoruar Gjykatën dha verdiktin për dënimin e Fatmir Xhafajt, i dha vetes edhe fuqinë që ta amnistojë. E mbylli protestën, i largoi protestuesit dhe e quajti cështjen të mbyllur, i vuri kapakun zemërimit që ziente.
As nga pozita e mbështetësit dhe as nga pozita e kundërshtarit nuk mund të shpjegohet ajo që ndodhi. Nëse Xhafaj është ashtu si e tregon Basha dhe PD, nëse ai është i lidhur aq ngushtë me krimin dhe i kapur në flagrancë, nuk mund të jetë Ministër I Brendshëm, protesta nuk mund të ndalej, opozita nuk mund të merrte përgjegjësinë e bashkëjetesës me krimin. Nëse e gjithë cështja ishte konsum politik, nëse audiopërgjimi është i rremë dhë është përdorur për të nxitur një betejë pa kokë dhe pa fund, për të bërë një zhurmë për të justifikuar pushimet e verës, opozita nuk mund të marrë përgjegjësinë e corientimin dhe destabilizimit në prag të vendimit të Këshillit Europian. Ka vetëm një mundësi që këto dy variante të bashkëjetojnë, ajo që Basha, ashtu si gjithë të tjerët përpara tij, nuk marrin asgjë seriozisht, nuk duan të bëjnë asnjë betejë, duan vetëm të mos humbasin flamurin e opozitarizmit dhe të dalin jashtë loje. Luajnë pjesën, ndërsa presin frutin e pushtetit të bjerë vet në prehërin e tyre, pavarësisht se mund të jetë i kalbur.