Investigimi i Top Channel zbuloi një pesticid tjetër që hyn në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. ai quhet Silicon Mix dhe importohet si pleh për bimët, por që fermerët po e përdorin gjerësisht kundër insekteve te qershitë. Konfirmimi për mashtrimin vjen edhe nga laboratori i specializuar shtetëror për pesticidet dhe plehrat.
Për të mësuar se çfarë është ky produkt e dërguam atë pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Laboratorin e Plehrave Kimike. Miranda Huta, e cila mban postin e kimistes tha që këtij produkti nuk mund t’i bëhen analizat pasi nuk është i pleh.
“Këtë pleh unë nuk mund ta analizoj, në thonjëza pleh. Sepse nuk i përgjigjet asnjë pikë të ligjit të plehrave që është sot ligjit 10390 datë 03/03/2011 dhe as VKM-së 774 ku janë të specifikuara të gjitha tipat e plehrave që quhen EC FERTILAIZER. Kjo nuk i përgjigjet as në fletën e certifikatës së analizës të sjellë për këtë punë, as përkthimit në etiketë. Silici nuk futet në listën e plehrave domethënë si element teknik i plehrave, siliconi aq më tepër që nuk është pleh”, shprehet ajo.
Specialistet e këtij laboratori thonë se kanë njoftuar edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
“Fletë analiza e ka të shkruajtur emrin e produktit silicon mix dhe ka të tërë përmbajtjen: mangan,zink, silicon, pehash ph. Përkthimi është silic. Silici dhe silikoni nuk janë e njëjta gjë, dhe e dyta silicon nuk është tregues i plehut. Nuk përmbahet as në formën e mikroushqyesve as në formën e elementeve parësor. Dhe as në formën e elementëve dytësorë. Mangani dhe zinku janë të dy mikroushqyes, por përmbahen si mikroushqyes në format e lidhura të tyre. Në fakt fletëanaliza nuk e ka të përcaktuar formën e tyre. Na ka ardhur nga inspektorati i AKU-së dhe i kemi kthyer përgjigje në moment që nuk i përgjigjet ligjit të plehrave”, sqaron Miranda Huta.
Duke qene i paregjistruar ky kimikat është i dyshimtë nisur edhe nga fakti që hyn kontrabandë.