Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për vrasjen e dyfishtë që Qemal Sela kreu ndaj prindërve të tij pak ditë më parë në Peshkopi.
Falë parandalimit të Policisë dhe njerëzve të tjerë që ishin në vendngjarje, u arrit që krimi të mos ishte dhe më i rëndë.
Burime të sigurta nga policia e Dibrës dje bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se autori i ngjarjes ka deklaruar në momentin e arrestimit se do të vriste edhe vëllain dhe dajën e tij.
Mësohet se ndërhyrja në kohë e patrullës së policisë, e cila ishte afër hotelit 4-katësh ku u vranë burrë e grua, ka shmangur vrasjen e dy familjarëve të viktimave.
Ndërkaq, burimet e mësipërme pohuan se Qemal Sela ka debatuar ashpër me të atin sapo ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Sipas bluve, emigranti ka refuzuar të udhëtojë me babain që kishte dalë ta priste në aeroport me një taksi të prenotuar që në Peshkopi. Kjo për faktin se ai akuzonte prindërit e tij se kishin prishur të gjitha paratë që ai kishte dërguar nga Anglia përgjatë 7 viteve emigracion për të ndërtuar 2 hotele që shërbenin për personat që frekuentojnë llixhat e Peshkopisë.
Më 11 qershor, Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë caktoi masën e sigurisë “Shtrim i detyrueshëm në spital psikiatrik” ndaj 26-vjeçarit Qemal Sela, pasi dyshohet se ai vuan nga probleme mendore. Aktualisht autori vrasjes së prindërve të tij ndodhet në spitalin e burgut në kryeqytet.
(E.K/FAXWEB.AL)