KPK ka lexuar sot raportin e mbajtur për gjyqtarin Toska dhe nga verifikimi i pasurisë gjyqtari Toska rezulton të ketë në pronësi vetëm një apartament me vlerë 80 mijë euro. Gjithashtu KPK ka hedhur poshtë dhe konkluzionet e DSIK-ut ku konkludohej se gjyqtari Toska gjendej në papërshtatshmëri për ushtrim detyre. Në raportin e KPK-së thuhet se të dhënat e DSIK nuk rezultuan të sakta. Gjithashtu në raportin e KPK-së saktësohet se ndaj gjyqtarit Toska ka pasur ankesa nga 6 qytetarë.
Ilir Toska, i pranishëm në seancë pa avokat tha se procesi ishte mëse i rregullt dhe se pret konfirmimin në detyrë.
Vendimi përfundimtar për gjyqtarin Toska pritet të jepet nesër, me datë 21 qershor 2018.
Ilir Toska, gjyqtar i Apelit të Tiranës prej 11 vitesh është edhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sot ai do të përballet në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e listës prioritare të vetingut.Toska ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë si dhe kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në prill të vitit 2007, ai është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ku edhe ushtron aktualisht detyrën. Në vitin 2012, Ilir Toska ka kryer gjithashtu detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ilir Toska nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.