Gjatë një konference të zhvilluar nga Instituti për Informim dhe Edukim Shëndetësor u paraqitën disa shifra për personat e sëmurë me tumor në vendin tonë.
Sipas studimit prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja.
Ndryshimi i stilit të jetesës në dy dekadat e fundit, përkeqësimi i fenomeneve të obezitetit, pirjes së duhanit, alkoolit, ndotjes së mjedisit dhe kequshqyerjes nga njëra anë dhe shërbimet e mangëta shëndetësore, nga ana tjetër, e kanë bërë Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon.
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik që u referohen raportimeve spitalore tregojnë se prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%. Nëse në vitin 2002, për 10 mijë banorë u diagnostikuan 41 persona me sëmundje tumorale, në vitin 2014 të diagnostikuarit me këtë sëmundje ishin 73 persona (për 10 mijë banorë) pa përfshirë diagnozat e vëna nga qendrat ambulatore. Me mbi 60% janë rritur sëmundjet kardiovaskulare, teksa shihet rritje e sëmundshmërisë për të gjitha llojet e diagnozave.
Por situata shihet të jetë përkeqësuar në shtimin e rasteve të kancerit.
Burimet në onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri. Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grup mosha e re 20-40 vjeç.
Shpërthejnë tumoret në moshat e reja
Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa në vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë. Prevalenca për mijë banorë me të sëmurë me kancer shihet të ketë pësuar rritje me 70% gjatë dekadës, sipas të dhënave spitalore.
Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014, në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive, për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit.
Por burimet nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikat duke hedhur dyshime se ajo është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.
Gjithsesi, të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç. Një dekadë më parë, përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.
Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Në rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.
Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.
Sëmundja e kancerit po bëhet gjithmonë e më shumë shkaku kryesor i mortalitetit. Ajo shfaqet në forma të ndryshme dhe me përgjigjie të ndryshme ndaj trajtimit. Qelizat tumorale shumëzohen shumë më shpejt, krahasuar me qelizat normale të trupit të njeriut. Një ndër metodat për të luftuar kancerin është radioterapia.
Ajo përdoret për të reduktuar përmasat e një tumori sa më shumë të jetë e mundur, përpara ndërhyrjes kirurgjikale, për të parandaluar rekurencat e kancerit pas kirurgjisë apo kemioterapisë dhe për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga një tumor. Radioterapia është përdorimi i rrezatimit me energji të lartë për të shkatërruar qelizat tumorale, duke u munduar në të njëjtën kohë për të kufizuar dëmtimin e qelizave normale.
Nga të dhënat e literaturës mjekësore, kjo terapi ka një shkallë të lartë suksesi, por siç ndodh shpesh me këto lloj terapish që janë mjaft agresive, ndodhin shumë efekte anësore afatshkurtra dhe afatgjata. Efektet anësore afatshkurtra zakonisht përfshijnë lëkurën dhe mukozat. Lëkura e zonës së trajtuar mund të shfaqet e djegur ose shumë e nxirë. Ky efekt anësor ndodh në çdo zonë që i nënshtrohet radioterapisë. Lëkura mund të shfaqë kruarje dhe të thahet aq shumë, sa të krijojë rrjepje (deskuamim) siç ndodh shpesh pas djegies nga dielli.
Rrezatimi shkatërron qelizat në zonën e trajtuar, duke shkaktuar deskuamim dhe ngadalësim të ripërtëritjes së saj. Ndodhin dëmtime të lëkurës, siç është rënia e flokëve, skuqje apo djegie të lëkurës, dëmtim dhe hollim i shtresave të lëkurës, madje deri në humbje të indeve të epidermës, dermatit nga radiacioni, që varion nga i lehtë deri në ulçera të rënda.
Përafërsisht 85% të pacientëve që i nënshtrohen radioterapisë, zhvillojnë reaksione kutane me gravitet mesatar, deri në të rënda. Reaksionet kutane nga rrezatimi janë të dhimbshme dhe shkaktojnë prurit, janë të vështira për t’u trajtuar, dhe përveç aspektit estetik, dëmtojnë edhe cilësinë e jetës.Për t’i shmangur këto efekte anësore, mjekët u sugjerojnë pacientëve të tyre disa dieta ushqimore dhe u japin informacion si ta mbrojnë lëkurën e tyre..
STUDIMET KLINIKE
Të dhënat nga studime klinike tregojnë një nivel të kënaqshëm parandalimi të radiodermatitit, pavarësisht dozës së lartë ditore të radioterapisë tek këto paciente me kancer gjiri, të cilat përdorën RADIOGEL gjatë si dhe deri në 20 ditë pas përfundimit të seancave të radioterapisë.
Në këtë linjë dhe Ministria e Shëndetsisë ka bërë një sërë investimesh në përfshirjen e këtyre produkteve dhe shërbimeve në mënyrë sa më të aksesueshme për popullatën. Akseleratori i parë Linear është instaluar, si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Ai është investim me vlerë 315 milion lekë, i vendosur në godinën e re (bunkerin me kapacitet dy njësi) investim i qeverisë me vlerë rreth 260 milion lekë, në të cilën vitin e ardhshëm pritet të vendoset një tjetër akselerator.
Me këtë investim të rëndësishëm, QSUT do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin me radioterapi të pacientëve me sëmundje tumorale, nga ku do të përfitojnë rreth 60 pacientë në ditë dhe rreth 640 pacientë në vit.
Në dy vitet e fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar masave parandaluese dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale. Kështu, gjatë vitit 2015, dy njësi lëvizëse të mamografisë realizuan falas, 4800 ekzaminime parandaluese për gratë, që jetojnë në zona ku pranë vendbanimit nuk ka mamografi stacionare. Ndërsa, në të gjitha pikat ku ka mamografi stacionare, për vitin 2014 u kryen 3317 ekzaminime parandaluese. Po kështu mjekë të rinj, të specializuar në këtë fushë po iu shtohen stafeve mjekësore të spitaleve në të gjithë vendin.