Dështimi i fundit i Argjentinës në Botëror ka bërë që të lindin shumë debate mbi të ardhmen e kombëtares “albiceleste”.
Për t’i shtuar benzinë zjarrit ka menduar Diego Armando Maradona me deklaratat e tij të fundit, ku është shprehur se do të kthehej me shumë dëshirë në krye të stolit.
“Ndërtuam me shumë mundim diçka të mirë, por e shkatërruam me shumë lehtësi. Nëse më kërkojnë, unë kthehem si trajner i Argjentinës dhe kthehem falas. Nuk do të kërkoja asgjë”, tha legjenda e futbollit argjentinas në një emision televiziv.
Maradona ka qenë trajner i Argjentinës nga nëntori i vitit 2008 deri në korrik të vitit 2010, vite që nuk ishin më të arta për këtë kombëtare.
E megjithatë ne e kemi parë në Rusi sesa e ndjen ende Maradona fanellën e kombëtares, që e shndërroi në një nga futbollistët më të mirë të historisë botërore.
(E.K/FAXWEB.AL)