Argjentina dhe Nigeria u përballën në një ndeshje vendimtare me njëra-tjetrën në Kupën e Botës e cila në fund rezultoi me kulaifikimin e ekipit të Messit pasi argjentinasit triumfuan 2-1.
Por kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga kjo ndeshje që nxori jashtë Kupës së Botës Nigerinë, një detaj tronditës është bërë i njohur për publikun.
Kapiteni i skuadrës nigeriane John Obi Mikel ka thënë për ESPN se kishte nmarrë një telefonatë para ndeshjes ku i ishte komunikuar se babai i tij ishte rrëmbyer.
Rrëmbyesit kishin kërkuar 24 mijë euro për ta lëshuar. Policia e Nigerisë kishte arritur ta shpëtonte babanë e futbollistit por ai ishte torturuar gjatë kohës sa ishte mbajtur i rrëmbyer. Menjëherë pas gjetjes ai është dërguar në spital dhe ia janë bërë disa qepje në trup pas lëndimeve që kishte marrë.
Obi Mikel nuk i kishte treguar askujt, as trajnerit të tij, duke e mbajtur sekretin në vete deri pas përfundimit të ndeshjes.
“Isha i hutuar. Nuk e dija se çfarë të bëja, por në fund e kuptova se nuk mund t’i lë poshtë 180 milionë nigerian”, tha Mikel.
“Më duhej që ta heqja nga koka dhe të luajë ndeshjen fillimisht. Më thanë se do ta vrisnin babanë tim nëse do ta lajmëroja ndokënd”.
“Dhe nuk doja që t’i tregoja trajnerit sepse nuk dëshiroja që problemi im të jetë problem për trajnerin dhe skuadrën time në një ndeshje aq të rëndësishme. Aq sa doja t’i tregojë trajnerit, prapë nuk mundja ta bëja”.
Njoftimin për gjetjen e babait të Mikelit e ka bërë policia e Nigerisë përmes Tëitterit, ndërsa Obi Mikel e sqaroi rastin. (B.H/Faxweb)