I kritikuar rregullisht ditët e fundit, megjithatë talenti i madh i Neymar është pranuar nga të gjithë, sepse është një fakt i pamohueshëm.
Nëse kritikohet për sjelljen e tij provokative dhe të komplikuar në fushë, të gjithë pajtohen në mendimin që, në momentin kur braziliani do të arrijë të menaxhojë këtë aspekt të personalitetit të tij, yllin e Paris Saint-Germain e pret një e ardhme e shndritshme, edhe me trofe personalë si Topi i Artë, që i jepet lojtarit më të mirë të vitit.
Së shpejti fundi i një epoke?
I penguar nga konkurrenca e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos që nga ardhja e tij në Evropë në Barcelonë në 2013, Neymar mund të jetë lojtari i shumëpritur që mund t’i japë fund epokës së dy të sipërcituarve, të cilët ndajnë, me 5 trofe secili, cmimin më prestigjioz individual në 10 vitet e fundit. Sigurisht që është i bindur për këtë një tjetër legjendë e futbollit brazilian, i ashtuquajturi Ronaldo Fenomeni, i kurorëzuar si lojtari më i mirë i botës në 1997 dhe 2002.
“Neymar mund të shfronësojë Messin dhe Cristiano Ronaldon dhe të jetë më i miri në botë. Botërori do të jetë më vendimtar në votim sesa kompeticionet e tjera. Është e sigurt se Cristiano Ronaldo ka bërë një vit të madh dhe fitoi Champions, Messi La Ligan dhe Kupën e Mbretit. Në vitin 2002, m’u dha çmimi i lojtarit më të mirë në botë pasi fitova Kupën e botës, dhe nuk kisha bërë një sezon të madh, sepse u dëmtova”, deklaroi njeriu që numëron 98 përfaqësime me Seleçao, në një intervistë me të përditshmen spanjolle Mundo Deportivo.
Në këtë intervistë, ish-sulmuesi i Real Madridit, Barcelona apo Inter ka folur edhe për një tjetër lojtar që mund t’i japë fund dominimit absolut të dy jashtëtokësorëve Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. “Mbappé? I uroj më të mirën derisa të takojë Brazilin me Francën. Ai është një lojtar fantastik me një hap të madh dhe i fuqishëm … por është francez”, shtoi ish-sulmuesi nga Rio de Janeiro.
Sipas logjikës së Ronaldos, me kusht që Brazili të fitojë ndaj Belgjikës, vetëm disa orë pasi Franca të kalojë “provën” Uruguaj, gjysmëfinalja e Kupës së Botës midis franceze dhe brazilianëve mund të jetë skena e një tjetër çështje të rëndësishme: trofeu i lojtarit më të mirë të vitit.
(K.B/ Faxweb)