Nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt do t’u jepen tekstet shkollore në përdorim falas.
Vendimi është marrë sot nga Qeveria në mbledhjen e sotme, dhe ndër të tjera shpjegohet se çmimi i teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për Arsimin.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare, sqarohet në VKM.
“6.12. Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt.
Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.
Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.