Në media të ndryshme afër qeverisë, për t’u sfumuar protesta e opozitës, prej disa ditësh janë hedhur disa lajme, të sponsorizuara në rrjetet sociale, ku janë etiketuar disa drejtues të shoqerisë civile dhe artistë të ndryshëm, si hajdutë.
Më konkretisht portali i quajtur ‘’Tiranapost” drejtuar nga Mira Kazhani, përmes një shkrimi bërë dy ditë më parë, mes të tjerave etiketonte Besjan Peshën si një hajdut kasetofonash makinash, po pa ju referuar asnjë vendimi të formës së prerë të gjykatave.
‘’Historia e vjedhjeve të Besian Peshës është shkruar edhe më parë në media. Ai daton që në vitet 90-të si hajdut kasetofonesh dhe tasa makinash, në qytetin e bukur të Gjirokastrës, e më vonë në vjedhje banesash.
Në media është publikuar edhe një vendim gjyqësor për të, ku thuhet: “Shtetasi Besian Pesha, i biri i Stavri dhe i Like, lindur më 1980 në Gjirokastër, në bazë të vendimit nr. 0009, data 25. 2. 1999 të Gjykatës së rrethit të Gjirokastrës, është deklaruar fajtor për krimin e vjedhjes dhe në bazë të nenit 134 KPP, është dënuar me katër muaj e gjysmë burgim.
Në bazë të nenit 306/I të KPP e dënon me tre muaj burgim. Vuajtja e dënimit i fillon nga data e ndalimit më 10 janar 1999. Prova materiale, aparati fotografik i tipit “CANON”, t’i kthehet Alket Premtit. Me vendim nr. 17, datë 31.03.1999 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, është vendosur lënia në fuqi e këtij vendimi”, shkruan portali i Mira Kazhanit.
Shkrim për të cilin sot Besjan Pesha ka pasur një përgjigje të prerë duke nxjerrë dhe pastërtinë përmes vërtetimit të gjendjes gjyqësore.
Pesha shton se ka një grusht “gazetarësh” të financuar me fonde publike, mbushin topat e tyre prej letre me baltë e vrer dhe bombardojnë këdo që mendon ndryshe. Strategjia e tyre është të intimidojnë këdo që guxon të artikulojë të vërtetën dhe të trembë ata që mendojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
‘’Tirana Post, një portal i drejtuar nga Mira Kazani dhe i financuar nga pronarët e konçesionit të incineratorëve të cilët do na grabisin sipas kontratave që u ka dhënë Rama rreth 330 milionë euro, më akuzon se jam i dënuar nga gjykata për përvetësim të fondeve publike. Foto është përgjigja ime jo për ta por për miqtë e mi dhe ata që i respektoj e më respektojnë.
Tani, sa herë që në këtë vend ka protesta, një grusht “gazetarësh” të financuar me fonde publike, mbushin topat e tyre prej letre me baltë e vrer dhe bombardojnë këdo që mendon ndryshe. Strategjia e tyre është të intimidojnë këdo që guxon të artikulojë të vërtetën dhe të trembë ata që mendojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Unë nuk jam trim mbi trimat, por kam një raport të ngushtë me lirinë dhe të vërtetën. Më pëlqen liria, më pëlqen të them atë që mendoj, më pëlqen të reagoj kur shoh padrejtësi dhe sigurisht që jam i gatshëm të paguaj edhe faturat, shpesh herë të kripura, që kjo zgjedhje ka.
Unë besoj se ka vetëm një mënyrë se si ne mund të shndërrohemi nga prindër emigrantësh në qytetarë krenarë të një vendi që zhvillohet: Reagimi ndaj padrejtësisë.
Një shoqëri e cila hesht dhe konformohet ndaj të keqes është e destinuar të zhduket, ashtu siç po zhduket ngadalë Shqipëria ku shumica e të rinjve duan të ikin sepse nuk shohin shpresë. Unë nuk dua që mbas disa vitesh të flas me tim bir vetëm në skype e ta shoh veç për festa. E urrej këtë ide. As nuk dua të emigroj 40 e kusur vjeç veç për ti qëndruar afër. Kjo më trishton.
Ndaj dal e do dal sa të kem fuqi e do bërtas sa të kem forcë. Kjo është e vetmja arsye!
Përqafime!”, shkruan Pesha në reagimin e tij.
(E.K/FAXWEB.AL)