Kapitulli më i dhimbshëm i tragjedisë me zjarret në Atikën Lindore u shënua kur në një fushë afër tavernës (restorantit) Argyri Akti në Mati u gjendën të shkrumbuar 26 persona.
Imazhet e tragjedisë që ofrohen një ditë më pas janë tronditëse. Në këtë oborr që shikoni në foto dhe video u gjetën 26 trupa të pajetë.
Ajo që lanë pas punëtorët e shpëtimit janë vetëm dorezat dhe objektet e tjera që dëshmojnë për tmerrin që shpërtheu në zonë.
Tek-tuk në tokën e mbuluar nga hiri të bien në sy ndonjë këpucë e mbetur nga viktimat që u dogjën të gjallë, ndërsa flakët nuk kanë kursyer as kafshët shtëpiake. Qenë të ngordhur shihen kudo.
26 të vdekurit që u gjetën në oborrin e restorantit kishin tentuar të shpëtonin, duke marrë makinat e tyre për t’iu drejtuar Athinës. Por ata u bllokuan nga flakët. Prandaj lanë makinat dhe lëvizën drejt detit.
Vendimi i tyre tingëllon llogjik, por në fakt vulosi vdekjen e tyre. Nga fusha ku u gjetën ka një rrugë që të çon në një shkëmb dhe prej aty në det.
Megjithatë, njerëzit e pafat, nuk e dinin atë ose nuk arritën t’i afroheshin asaj.
Ata e gjetën vetën të rrethuar nga flakët dhe përqafuan fëmijët e tyre duke qenë të vetëdijshëm se nuk do mund të shpëtonin.
Ndërkohë deri më tani mediat raportojnë se numri i të vdekurve ka shkuar në 80. Nga të dhënat e shërbimit të zjarrfikësve, mësohet se 187 persona janë plagosur. Ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi 24 prej viktimave janë fëmijë. Ndërkohë dyshohet për qindra persona të zhdukur.
Discussion about this post