Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës por mund të ketë korrigjim të kufirit.
Nga ana tjetër ai shton se në kuadër të korrigjimit Lugina e Preshevës mund ti bashkohet Kosovës.
Por, Thaçi në asnjë moment nuk po e përmend atë se çfarë mund të kërkojë Serbia në këmbim të Preshevës ku komunat e veriut, liqeni i Gazivodës dhe Trepça synohen nga Beogradi.
“Sa i përket korrigjimit të kufijve e theksoj, është realitet, kemi diku rreth 400 kilometra kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet t’i vëmë, sepse duhet ta përmbyllim shtet-formimin apo konsolidimin e shtetit tonë, dhe pa vënien e pikave kufitare ende nuk është përmbyllur ai proces me Serbinë, dhe për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, do të diskutohet për korrigjimin e kufijve”.
Thaç e riktheksoi se me asnjë çmim nuk do të ndodhë ndarja e Kosovës dhe realizimi i aspiratës serbe, ndërkaq deklaroi se as BE-ja, NATO dhe SHBA-ja nuk do të mund të dalin kundër marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Dialog.
“Dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve e theksoj edhe njëherë: në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërsa në kuadër të korrigjimit besoj se është shumë e realizueshme, është e pranueshme nga ana e jonë kërkesa e institucionalizuar e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën nëse ka marrëveshje ose pajtueshmëri të dyanshme”.
“Askush nuk do të mund dhe nuk do të dalë kundër një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në Dialog, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Pra as Bashkimi Evropian, as NATO dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Pra, e ritheksoj se në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje; korrigjim të kufijve mund të ketë duke përfshirë Luginën e Preshevës”, përfundoi ai.
(B.H/Faxweb)