Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një vizitë zyrtare në Vlorë, ku ka takuar dhe kryebashkiakun e saj Dritan Lelin u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe të diasporës të vijnë për pushime në Vlorë.
Nisur dhe nga rënia e numrit të pushuesve kosovarë në bregdetin shqiptar gjatë 2018-s, Haradinaj nuk ka ngurruar të nxisë bashkëqyterarët e tij të mos bojkotojnë Shqipërinë si destinacionin e tyre turistik.
“Duhet të jemi gjithmonë e më afër njëri-tjetrit, ndaj me 1 janar 2019 do të heqim doganën mes 2 vendeve”, tha Haradinaj.
Pyetjes se a do të takohet me kryeministrin shqiptar Rama meqenëse ai ndodhet në Vlorë, Haradinaj u përgjigj: “Më lejoni të përshendes të gjithë sot, kryeministrin Rama, politikanët dhe të gjithë institucionet shqiptare”, duke nënkuptuar që nuk do të ketë asnjë takim me homologun e tij shqiptar apo ndonjë përfaqësues tjetër të nivelit të lartë politik.