Ministri për Diasporën Pandeli Majko ka reaguar për çështjen e kufirit të Kosovës. Në një postim në ‘Facebook’ ndërsa i është përgjigjur demokratit Tritan Shehu, i cili tha se ideja e Thaçit për ndryshim kufijsh erdhi pas deklaratave të Majkos për “Rrëzim të kufirit” mes Shqipërisë dhe Kosovës. Majko thotë se ndryshimi i kufijve nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian.
Majko thotë se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ndahen për tu integruar.
“Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht”, shkruan Majko.
Duke iu përgjigjur Shehut Majko shprehet se “As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë”.
Postimi i plotë:
Tritan Shehu ka deklaruar se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi…”E mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko… në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.” (!?) (As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë)
Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë.
“Rrëzimi i kufirit” si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht.
(B.H/Faxweb)