Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka bërë të ditur se me rastin e shënimit të 85 vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, ka kërkuar mbështetje nga nga Tirana zyrtare që eshtrat e heroit kombëtar të zhvendosen në Prishtinë afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se për këtë u ka dërguar një letër autoriteteve në Shqipëri.
“Në 85 vjetorin e vdekjes kujtojmë Hasan Prishtinën, heroin e madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dhe në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë. Për këtë qëllim u kam dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë inciativë domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat!”, shkruan Veseli.
Varri i Hasan Prishtinës ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Kukësit. (B.H/Faxweb)