Gazetari i njohur Lutfi Dervishi ka ironizuar debatin mbi kufijtë e Kosovës duke përcjellë një sërë deklaratash të modifikuara me nota humori.
I njohur për satirën me të cilën vesh çështjet e aktualitetit, Dervishi ka zgjedhur që të përpilojë disa citime sipas këndvështrimit të tij.
Më poshtë do të gjeni postimi e tij të plotë:
Hashim Thaçi: Nuk ka copëtim të Kosovës. Nuk ka ndarje të Kosovës. Nuk ka shkëmbim territoresh. Ka integritet territorial. Ka perspektivë europian. Ka vetëm korrigjim kufijsh. Të gjitha të tjerat janë fake neës. Komuniteti Ndërkombëtar na la detyrë për të bërë Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. E bëmë me deklarimin e pavarësisë para 10 viteve. Si në çdo punë bëhen edhe gabime. Gabimet korrigjohen. Me laps sigurisht.
Ramush Haradinaj: O shqipe, kufijtë janë punë serioze. Nuk mundet kush me lujt me to. Në Shqipni thonë muri s’lun e burri lun. E ne duhet me than: burrat lujn e kufijt nuk lujn. Ka dal ti se janë 60 mijë luftëtarë, edhe më shumë kanë qenë, që kanë dergj gjak e djers për këto kufij.
Aleksander Vuçiç: Hashimi dhe Edi janë politikanë më të mirë se unë. Kjo dihet. Kjo shihet. Po unë propozoj që në kuadër të korrigjimit t’i japim Kosovës edhe Novi Pazarin. Shqiptarët kanë patur një Pazar të Ri në Tiranë dhe tani e kanë humb si rezultat i ndërhyrjes së një fondacioni amerikan. Them të merremi vesh vetë se po u futën amerikanët dhe gjermanët do të na lenë këto kufij që kemi! Dhe dihet se as serbët as shqiptarët nuk po duan me ndenjë me këto kufij.
Nexhmedin Spahiu: Kombi kosovar po tregon epërsi ndaj kombit shqiptar. Serbia i njeh banorët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës si minoritet të Shqipërisë. Ne me forcë e argumentave historikë në tavolinë. po tregojmë se duam t’ia marrim. Propozoj që në flamurin e Kosovës të shtohet edhe një yll tjetër që të simbolizojë minoritetin e Shqipërisë.
Ditmi Bushati: Strategjia e re e Bashkimit Europian i ofron një perspektivë të qartë europiane rajonit, por BE nuk na ka lënë detyrë ne që duhet të bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur detyrat e Serbisë.
Ilir Meta: Parimi i mosndryshimit të kufijve është një parim që është ndërtuar kontinenti pas luftës së dytë botërore. Shqiptarët dhe serbët duhet të dalin fitimtarë së bashku nga këto bisedime. Unë inkurajoj dhe mbështes fuqimisht fitimtarët.
Sali Berisha: Argatët e Beogradit nuk duhet të bëjnë më shumë punë se c’i kanë lënë agallarët. Me këto argatë po qesh gjith bota.
Edi Rama: Unë kam folur për një President të përbashkët me Kosovën. Kosova dhe Serbia duhet të kapërcejnë historinë dhe jo të bien në kurthin e saj. E rëndësishme është të dalin nga ky kurth qoftë edhe duke ndryshuar gjithçka me kusht që të mos lëvizë asgjë.
Albin Kurti: Vetëvendosja thotë të bashkohemi me Shqipërinë e Hashimi po don me bashku serbët e Kosovës me Serbinë.
Spartak Ngjela: Amerika është me ne. Rusia e ka kot. Kina nuk ka çfarë bën. Turqia e pat. Greqia është jashtë loje. Serbia e ka humb lojën. Shqipëria duhet të lexoj lojën. Kaq është e gjitha. Lojrat e mëdha i lexojnë njerëz të mëdhenj. A është i madh kryeministri jonë. Sigurisht që jo!
Frederica Mogerini: Bashkimi Europian mbështet fuqimish bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve. Ne nuk komentojmë bisedimet. Ne ofrojmë perspektivë europiane. Në Europë kufijtë nuk kanë rëndësi. Kështu që edhe ne nuk i kushtojmë rëndësi çfarë flitet e shkruhet për kufijtë.
Një plak nga Gllogoci: Dikur kanë pas thonë se të rinjtë bëjnë luftën e pleqtë bëjnë paqen. Hashimi dhe Vuçici kur kanë ken të rinj kan bo luftë e tash që janë plak dun me bo paqe. E për me bo paqe duhet me e ndez luftën.