Natasha Horne, 20 vjec, pasi kishte mësuar prej pak vjetësh që vuante nga diabeti i tipit 1 dhe refuzoi të merrte trajtimin që ju këshillua, ndërroi jetë pasi ra në koma.
Sipas prindërve të saj vajza e tyre edhe pse nuk i dëgjonte këshillat e të tjerëve, me njerëzit përreth sillej shumë mirë dhe përpiqej t’i ndihmonte sa më shumë. Sipas tyre ajo kishte filluar të humbiste peshë rreth 2 vite më parë dhe ata kishin qenë vërtetë të shqetësuar pasi mendonin se vajza kishte filluar të përdorte drogë.
Por teksa humbja në peshë u bë vërtetë shqetësuese, Jackie, mamaja e Natashës, e cila punonte si menaxhere në një farmaci, duke u nisur dhe nga shenja të tjera si etja që kishte gjatë gjithë kohës apo fakti që ngrihej për të përdorur tualetin shumë shpesh, këmbënguli që ajo të bënte një test diagnostifikues dhe shumë shpejt ajo u njoftua se vuante nga tipi i parë i diabetit, që duhet thënë është shumë i menaxhueshëm dhe nuk të pengon të jetosh një jetë normale.
Gjithçka që 20 vjeçarja duhej të bënte është një gjilpërë insuline çdo dite, pasi ky lloj i diabetit bën pikërisht që organizmi të mos prodhojë sa duhet insulinë. Doktorët dhe prindërit ja këshiiluan mjekimin, por Natasha refuzoi duke thënë se “Unë nuk kam për të bërë kurrë gjilpëra”.
Gjatë këtyre dy viteve ajo ishte shpërngulur me të dashurin e saj në një shtëpi tjetër larg prindërve, sepse nuk mund t’i duronte më duke i folur për mjekimin që duhej të merrte. Tani familjarët e justifikojnë veprimin e saj duke thënë se “Ajo thjesht nuk i kuptonte pasojat e refuzimit të mjekimit”.
Gjithsesi as doktorët e as prindërit nuk mund të bënin asgjë pasi vajza ndodhej në moshë madhore dhe nuk mund ta detyronin të bënte dicka kundër dëshirës së saj dhe pas 3 sulmeve diabetike që pësoi, Natasha ra në koma teksa kalonte natën në shtëpinë e një shoqeje dhe ndërroi jetë më pas në spital.
Prindërit e saj nuk hezituan t’i dhuronin organet e vajzës së tyre për qendrat e studimit të diabetit, ndërkohë që kanë filluar dhë një fushatë sensibilizimi për pacientët që diagnostifikohen me këtë sëmundje.
Për ata e rëndësishme është që fillimisht prindërit të kenë informacion të plotë për gjendjen në të cilën mund të jenë fëmijët e tyre dhe më pas vetë të diagnostifikuarit të kuptojnë sa e rëndësishme është të marrin mjekimin dhe sa e thjeshtë është ta luftosh diabetin e tipit të parë. Edhe në vendin tonë të shumtë janë ata që vuajnë nga kjo sëmundje, madje ka dhe të tjerë që ende nuk e dinë por kanë simptomat, prandaj është e një rëndësie të madhe të dihen shenjat e para dhe rregullat që duhet të ndjekësh./Blitz.al/