Këshilltari Ligjor në Partinë Demokratike Gazmend Bardhi ishte i ftuar në Fax News për të folur mbi nismën kushtetuese që do të ndërmarrë PD për vetingun në politike.
Bardhi u shpreh se krimi ka lidhje të forta me qeverinë dhe ne duhet që të çlirojmë vendin nga kjo gjendje.
“Kryeministri Rama e ka të lidhur pushtetin e vet në mënyrë të padiskutuar me krimin e organizuar dhe ne kemi vendosur që të çlirojmë nga kjo gjendje.
Nuk është vepër penale të kesh miqësi me një kriminel, por është standard moral që një politikan të mos ketë lidhje me krimin e organizuar. Këto janë standarde që ne i kemi caktuar për gjyqtarët dhe prokurorët, këtë standard duhet ta aplikojmë dhe në rradhë të parë tek vetja. Ka të bëjë me eleminimin e pasojave. Qeveria nga mëngjesi në darkë punon për krimin e organizuar.
Ne sot kemi propozuar amandamentin kushtetues. Mënyra se si do të realizohet do të përcaktohet në ligj me detaje. Por ne fillimisht duhet të miratojmë këtë amandament kushtetues që mundëson vetingun për politikanët.”
Sipas këtij projekligji deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës.
(M.Q/Faxweb)