Policia e Kosovës ka ndaluar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç që të shkojë në Drenicë, në fshatin Banjë.
Vuçiç është ndaluar në Zubin-Partok. Presidenti serb ka insistuar që të vazhdojë rrugën por nuk është lejuar nga Policia e Kosovës.
Sipas gazetës serbe Telegraf ka një debat të vazhdueshëm mes policëve dhe presidentit dhe se ai u njoftua që bllokadat janë rreth 2 kilometra, dhe nuk ka siguri për ta vazhduar rrugëtimin.
Vetë Vuçiç ka thënë se nuk e dinte nëse do shkonte në Banjë, por do të tentonte ta bënte në një rrugë dytësore.
Pas daljes së shumë banorëve të Drenicës në rrugë për bllokimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në mënyrë që ai të mos hynte në Drenicë për të Vizituar Banjën, ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ ka njoftuar se i ka ndaluar Vuçiçit hyrjen në Drenicë, pasi “Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha”.
“Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhjekur lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, shkruajti Haradinaj.
Ndërkohë pak më parë mediat serbe thanë se Vuçiç ka hyrë në Banjë. Nga ana tjetër ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin fajësoi kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin për protestat në Drenicë kundër Vuçiçit.
Ai gjithashtu ka thënë se Serbia po prêt reagim nga KFOR-i për situatën e krijuar.
“Presidenti ynë nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të jetë i pambrojtur. Aktualisht, kanë filluar disa bllokada, burra të armatosur, por po presim reagimin e KFOR-it. Pas gjithë kësaj qëndron Kadri Veseli, ai është përgjegjës për çdo gjë që do të ndodhë”, ka thënë Vulini për Tanjug.
Gjithashtu Vulin tha se ushtria serbe do të respektojë vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që është komandant suprem.
Ai tha se gjithçka që urdhëron do të zbatohet.
“Presidenti është komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe gjithçka që ai thotë do të kryhet. Ai mund të urdhërojë përdorimin e ushtrisë dhe çdo gjë që ai thotë do të bëhet”, ka thënë Vulin, shkruajnë mediat serbe.
“Ai është ai që do të vendosë për këtë, nëse ai thotë se siguria e tij duhet të garantohet në vendin ku ai dëshiron të shkojë, kjo do të bëhet”, tha Vulin. (B.H/FAXWEB)