Kryetari i shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politik, Nebil Çika i ftuar në studion e “Fax News” ka deklaruar se qeveria po mashtron të përndjekurit. “Një luftë e re klasash në kushte demokracie”, e cilësoi Çika atë që po ndodh me ish- të përndjekurit.
Ai tha se ligji për të përndjekurit që kërkon të miratojë qeveria ka përgjysmuar buxhetin për këtë kategori. Sipas Çikës paratë që jepen për këtë kategori që janë persekutuar gjatë regjimit janë për punën e papaguar që kanë bërë ish-të përndjekurit gjatë regjimit, ku kanë ndërtuar vepra të mëdha që i shërbejnë eshe sot vendit dhe që qeveria i ka dhënë me konçension.
“ Nuk bëhet fjalë për lek taksash që do të marrim ne, por janë para për punën e papaguar që ka bërë kjo shtresë, pista e aeroportit të Vlorës, Uzina e Ballshit, aeroporti i Kuçovës, Spaçi, minierat, fushat, Maliqi, Bedeni, fusha e lezhës, Tërbufi, Zadrima, kompleksi sportit Dinamo, mijëra apartamente janë ndërtuar me punë skllavëruese. Këta duan të heqin kompensimi. Është punë e papaguar”, tha Çika.
Ai foli edhe për standart të dyfishtë dhe vuri theksin se për miratimin e këtij ligji ‘djallëzor’ po shfrytëzohet edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuse që sipas Çikës do ta hidhte poshtë një ligj të tillë.
“4 të vrarët në 21 janar i çoi Edi Rama atje, morën 400 milionë, i kanë marrë, po këta 10 mijë të vrarët nuk duhet t’i marrin për gjyshërit e tyre, prindërit e tyre. Këtyre u thonë se nuk duhet t’i merrni. Qartësisht kjo është një luftë klasash që drejtohet ndaj një grupi të caktuar.
Gramoz Ruçi i ka vrarë në kufi, ky do t’u heqë lektë nipave të tyre. Këto shiheshin si armiq kur erdhi 90-ta dhe ishin mbrapa shqiptarëve, këta nuk ishin në të njëjtin stad me pjesën tjetër. Ky kompensim jepet për të arritur stadin dhe është e drejtë e tyre e trashëgimisë. Këta janë shumë djallëzor, kanë kapur situatën se nuk ka edhe Gjykatë Kushtetuese që një ligj të tillë nuk do ta kishte lejuar”, deklaroi Nebil Çika.
Duke iu referuar pretendimit të qeverisë se ka pasur dhe nga ata që kanë përfituar padrejtësisht, kryetari i shoqatës së ish-të përndjekurve politik u shpreh se edhe mund të ketë ndodhur por ai njihte raste që ishin përjashtuar padrejtësisht nga lista e atyre që do duhet të përfitonin.
Çika tha se janë 13 mijë dosje në total, por 6 mijë prej tyre janë bllokuar për “kalim afatesh”. Madje, nuk përfitojnë edhe ata që ishin të akuzuar nga regjimi si “terrorist”.
“Nuk e di se kush përfiton padrejtësisht por unë di që janë përjashtuar padrejtësisht. Janë 6 mijë dosje që janë përjashtuar që nuk përfitiojnë për shkak të vonesave. Ndërsa heronjtë e Spaçit nuk përfitojnë se janë dënuar për terrorizmin, atë nen të terrorizmit gjatë komunizmit këta e kanë bërë të vlefshëm”, u shpreh ndër të tjera ai.
Por sipas tij kjo shoqatë do vazhdojë përpjekjet për bllokimin e këtij ligji dhe e drejta do kërkohet deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Ne jemi një shoqatë me struktura të organizuara, do shkojmë deri në Gjykatën e Strasburgut”, theksoi ai.
Kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve kishte dhe një mesazh për Lulzim Bashën. Sipas tij, Basha do duhet të reagonte fortë për të drejtat e ish-të përndjekurve, duke i kujtuar se kjo kategori është ndër votuesit kryesorë të PD-së.
“Basha nuk e ka përmendur këtë padrejtësi dhe duhet ta bënte se shumica e votuesve të PD-së janë të përndjekurit politik. Nuk mendoj se ka dalë nga axhenda e PD-së cështja jonë. Ne kemi dhe njerëzit tanë në PD”, theksoi ndër të tjera Nebil Çika.
Intervista e plotë:
(B.H/Faxweb)