Kaosi që ka përfshirë këto ditë qytetarët lidhur me kthimin e transmetimeve nga analoge në dixhitale dhe tërheqja e mëpasshme e AMA-s, ka qenë tema e diskutimit në studion e lajmeve në Fax News.
E ftuar për këtë temë ka qenë ish-kryetarja e AMA-s Endira Bushati, e cila ka thënë se kërkesa për shkarkimin e Gentian Salës nga katër anëtarë të tjerë të AMA-s është shumë e drejtë, pasi sipas saj ai ka dështuar në procesin e dixhitalizimit.
Sipas Bushatit ka qenë mazhoranca ajo që ka shtyrë qëllimisht këtë proces me qëllimin e vetëm, për të favorizuar oligarkët që kanë marrë 4 nga frekuencat kombëtare.
‘’Kalimi në transmetimet numerike duhet të kishte ndodhur që në qershor të 2015-ts. Pse ka ndodhur kjo është shumë e thjeshtë, pasi mazhoranca kishte si qëllim plotësimin e kërkesave të oligarkëve të medias. Kjo nisi me vendosjen në krye të AMA-s të ish-drejtorit të Digitalb që është qartazi në konflikt të interesit.
Kush është kryetari i AMA-s që mund të hapë dhe mund të mbylli kur të dojë transmetimet?! Ne e dimë të gjithë që oligarkët e medias janë aq të fuqishëm, nga 5 licensa, 4 janë në pronësi të Digitalb. Ka një kompani që është krijuar vetëm 1 muaj para nisjes së garës që sërish zotërohet 100% nga ana e Digitalb. Informimi ka qenë i vazhdueshëm, mund të duhet që të ishte pak më atraktivë, po kjo është një çështje tjetër. Nuk ka pasur transparencë dhe ky ka qenë skandali më i madh.
Qytetarët e Tiranës u zgjuan një ditë dhe iu hoq edhe Rtsh për të cilën paguajnë taksa çdo muaj nga buxheti i tyre. Kryetari i AMA-s donte të vendoste theksin se faji kishte qenë i qeverisjes së shkuar, njësoj si të ishte një ministër i Ramës dhe jo drejtues i një institucioni të pavarur. Me kë u konsultove që të shtyje kalimin në transmetime dixhitale? Apo kjo ndodhi për shkak të mbarimit të sasisë së dekoderave që ishin në magazina., u shpreh Bushati.
Ish-kryetarja e AMA-s tha më tej se dhe reagimi i opozitës për këtë çështje ka qenë shumë i vakët, ndërsa e çuditur është shprfehur dhe me heshtjen nga ana e institucionit të Avokatit të Shtetit.
‘’Ajo që është më shqetësuese në këtë rast është heshtja e opozitës, e cila ka dhe drejtimin e komisionit të medias. Unë prisja dhe një reagim nga ana e Avokatit të Popullit, edhe pse e di se gjatë punës së saj si juriste ka qenë avokate mbrojtëse e dy televizioneve që përfituan dhe frekuencat kombëtare në shkelje të ligjit. Katër frekuencat kombëtare janë në dorë të vetëm 3 personave”, tha më tej Bushati.
(E.K/FAXWEB.AL)