Për të gjithë ata që duhet të arrijnë me patjetër në kohë në punë, llogaritë këtë fillim shtatori duhet t’i bëjnë mirë, pasi trafiku në kryeqytet ka nisur të rëndohet ndjeshëm, dhe pritet të jetë edhe më keq javën e ardhshme kur nis edhe shkolla.
Ndërkohë që mëngjesin e sotëm në disa akse kryesore të qytetit ka pasur një trafik të rënduar, siç shihet edhe në disa foto të publikuara nga ana e pedagogut Ervin Goci.
“Mirëmëngjesi të dashur miq! Dhe me këto pamje nga Lana, desha t’ju uroj një ditë të këndshme! Gjysmë kilometri trafik i ngjeshur, nga drejtoria e policisë te 21-shi, ku nuk lëvizin as mizat, jo më makinat”, shkruan Goci.
Kjo situatë e trafikut është edhe për shkak të nisjes së njëkohësishme të disa ndërtimeve në akse të Tiranës nga ana e Bashkisë, duke bërë që për qytetarët nisja për në punë apo në aktivitete që mund të kenë të kthehet në një torturë të vërtetë.