Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku deklaroi të premten se frika është shkaku i kaosit të krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me procesin penal ndaj Emiljano Shullazit, ndërkohë që opozita politike kallëzoi penalisht Markun duke e akuzuar për shkatërrim të kësaj prokurorie në përpjekje- sipas opozitës- për të dëmtuar hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kriza aktuale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duket se nisi në fillim të gushtit, kur prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila ndiqte çështjen “Shullazi” u komandua me urdhër të Markut në krye të Prokurorisë së Tiranës. Në këtë pikë, gjyqi ndaj Shullazit ishte pranë përfundimit dhe mbetej për t’u dhënë vetëm pretenca e prokurorëve. Por prokurori i dytë i çështjes, Ened Nakuçi mori një leje gjashtëmujore për arsye shëndetësore duke e lënë çështjen pa prokuror në një pikë kritike.
Në fillim të shtatorit, prokurorit Besim Hajdarmataj iu ngarkua çështja “Shullazi”. Hajdarmataj e pranoi çështjen, por vërejti gjithashtu se sipas ligjit aktual për Prokurorinë, çështjet duhet të ndahen me short dhe jo me ngarkim.
“Unë kam pranuar të përfaqësoj akuzën edhe me një autorizim që nuk kishte bazë ligjore. I jam drejtuar titullarit me shkrim, ku jam munduar të shpjegoj se cila është mënyra e mirë që prokuroria duhet të përfaqësohet dhe rrugët proceduriale që duhen ndjekur,” tha Hajdarmataj për BIRN.
Sokol Stojani: Dhashë dorëheqjen, por Marku e intepretoi si shkarkim
Sokol Stojani, një ndër drejtorët kryesorë të Prokurorisë së Përgjithshme u lirua nga detyra më 19 shtator, sipas një urdhri të rrjedhur në media të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.
Largimi i Stojanit, i cili mbante prej 9 muajsh postin e drejtorit të Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve u komentua me situatën e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por vetë ai në një bisedë telefonike me BIRN mohoi që çështja e tij të kishte lidhje me procedimin e 10 prokurorëve.
Stojani sqaroi se kishte dhënë dorëheqjen, por kishte marrë si përgjigje lirimin nga detyra. “Mëngjesin e 19 shtatorit, unë kam paraqitur në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dorëheqjen nga pozicioni që unë kisha. Pasdite mësoj se kjo dorëheqje u miratua duke më shkarkuar nga detyra,” tha Stojani për BIRN.
“Motivet e dorëheqjes janë thuajse personale, unë kam pikëpamje tjetër në drejtimin e një institucioni, në mënyrën e funksionimit apo dhe të rekrutimit të burimeve njerëzore, ndaj dhe e pashë të arsyeshme të largohesha,” shtoi Stojani për Birn. Zyra e Shtypit e Prokurores së Përgjithshme nuk iu përgjigj pyetjeve që BIRN pati mbi dorëheqjen e një prej drejtuesve kryesorë të këtij institucioni.