Ministri Damian Gjiknuri iu është përgjigjur sot akuzave të lëshuara nga ana e PD-së lidhur me tenderat e dhënë oligarkëve dhe koncesnioneve.
Në një prononcim për gazetarët Gjiknuri u shpreh se nuk ia merrte mendja degradimin në një nivel të tillë, të një partie që nesër pretendon të vijë në pushtet. Sipas Gjiknurit PD për intersa të saj politike po kërcënon biznesmenët, njësoj si në regjimet që iu ka ikur koha.
Pyetje: z. Minister, një ditë më parë Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha bëri thirrje qeverisë që të tërhiqet nga projektet koncesionare apo projektet me partneritet publik-privat sepse në të ardhmen, nëse ai vjen në pushtet do të konfiskohen këto pasuri. A ka një rimendim nga ana e qeverisë për të riparë edhe njëherë këto projekte apo formulën sesi do të bëhen?
Ministri Gjiknuri: Ironikisht, unë sapo po dal nga një aktivitet që flet për nxitjen e investimeve në sektorin elektroenergjetik me pjesëmarrës edhe të vendeve të Bashkimit Europian. Ajo çka duhet të them për këto deklarata është se nuk e mendoja nivelin e degradimit deri në situata para politike të një partie kryesore opozitare që pretendon të vijë në pushtet. Deklarata të tilla, më e pakta janë gjobëvënie kurse më e shumta janë të kërcënosh zhvillimin ekonomik të këtij vendi.
Republika e Shqipërisë është anëtare e konventave ndërkombëtare që mbrojnë çdo lloj investimi dhe ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike të mund të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend apo të mund të ndërmarrë masa të cilat janë të denja për regjimet të cilat ju ka ikur koha. Kështu, unë e quaj thjesht manifestim i degradimit politik të Partisë Demokratike në një nivel para politik dëshpërues. Qeveria do të vazhdojë politikat e saj zhvillimore sepse zhvillimi është për shumicën e shqiptarëve, pavarësisht se kush është në pushtet.
(E.K/FAXWEB.AL)