Policia e Tiranës njoftoi sot pasdite do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë momentit të kalimit të tifozëve që shkojnë në këmbë drejt stadiumit “Selman Stërmasi”, për të shijuar nga afër derbin Tirana-Partizani, që do të luhet në orën 19:45.
Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit janë: rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”, Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”, Rruga “Emin Duraku” nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përballë stadiumit “Selman Stërmasi”, njëra korsi e rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”.
Gjithashtu, policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme, si dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindërit apo kujdestarit.