Ditën e sotme, policia arriti që të vërë në pranga një 29-vjeçar, i cili u kap në aksin Milot-Lezhë, teksa transportonte mina me telekomandë dhe kanabis.
Mësohet se i arrestuari është Endrit Vejsiu, 29 vjeç, i cili rezulton se është i vëllai i Alketa Vejsiut.
Në njoftimin e policisë thuhet:
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditje e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Telekomanda”.
Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.
Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.