Në muajin shkurt emisioni “Boom” ka denoncuar abuzimin seksual të një 30 vjeçareje, të sëmurë mendore, endacake në qytetin e Kuçovës. Por vetëm disa muaj pas publikimit të rastit mësohet se e reja me iniciale M.G është në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe sipas saj abuzimi ka ndodhur në mënyrë të përsëritur nga njerëz që ajo nuk i njeh.
Pavarësisht se rasti u denoncua në muajin shkurt pranë shërbimeve sociale dhe në komisariatin e Kuçovës, ende nuk është marrë asnë masë jo vetëm për mbrojtje, por as edhe për strehim.
Sipas Drejtorisë së Shërbimit Social Berat “Shërbimet në qendrat e zhvillimit janë shërbime komunitare që synojnë sigurimin dhe përmirësimin e statusit dhe cilësisë së jetesës së individëve me aftësisë të kufizuar, deri në 21-vjeç.”, duke e quajtur këtë një rast përjashtimor.
Boom kërkoi një takim me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të negociuar një zgjidhje për strehimin e vajzës në një qendër rezidenciale, por ministrja kërkoi që gazetarët t`i drejtohen zyrës së shtypit . Abuzimi me persona të pazotë fizikisht apo mendërisht , kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.