Ditën e djeshme kryeministri i vendit Edi Rama hodhi për herë të dytë në skenë idenë e një pakete antishpifje, që do të kriminalizonte shpifjen, duke e bërë një vepër të dënueshme me burg.
Gazetari Enton Abilekaj i ftuar në studion e lajmeve në Fax News u shpreh se Rama është sot në një pozitë shumë të vështirë për shkak të dëshmisë së Emiljano Nuhut, dhe kërkon që të mbrohet me ligjin për shpifjen.
Sipas Abilekajt në rast të kriminalizimit të shpifjes, vendi do të shkojë drejt autoritarizmit, duke ngjasuar me Turqinë, ku politikanët e opozitës futen në burg, edhe për deklaratat që bëjnë në Kuvend.
Duhet thënë se në 2015-tën drafti i qeverisë për kriminalizimin e shpifjes është kundërshtuar nga institucionet e BE-së në vendin tonë, duke bërë që Rama të tërhiqej nga vendimi i tij.
“Paketa antishpifje nuk është një ide e re e Edi Ramës, pasi është thënë dhe më herët në 2015-tën. Rama ka një arsye shumë të fortë që e ka rikthyer tashmë këtë ide, pas dështimit me turp që pati në atë kohë dhe kundërshtimit që iu bë nga insitucionet e BE-së.
Dhe shtetet më autoritare në Europë nuk e kanë vepër penale shpifjen, pasi kjo të çon drejt sjelljeve diktatoriale. Shpifja nuk mund të dënohet me burg, po vetëm me masa administrative. Nëse kjo nismë do të bëhet vërtetë serioze, ndjell vetëm shtim të autoritarizmit përmes ligjit, edhe për mediat. Ne do të përfundojmë si Turqia që çdo kundërshtar politik që mund të bëjë akuza të përfundojë në burg.
Nuk e di se çfarë kërkon më shumë kryeministri, kur sot një dënim për shpifje mund të shkojë deri në një masë prej 5 milionë lekësh. Xhisiela nuk është një çështje vetëm e opozitës, dhe faktet tregojnë që nuk ka shpifje në këtë rast. Po të shohësh këtë debat, kohën kur është hapur përkon në 2015-tën me dëshminë e Dritan Zaganit, janë të njëjtat masa që sot Rama po merr pas dëshmisë së Emiljani Nuhut që e ka quajtur horr.
Në 2015 u bë dhe paketa që shpifja të kriminalizohej , për të mbuluar ngjarjet që tashmë kishin ndodhur. Rama i drejtohet ligjit për t’iu mbyllur gojën njerëzve që flasin dhe denoncojnë. Rama sot është në një pozicion të vështirë, pas publikimit të rastit Xhisiela”, u shpreh Abilekaj.
(E.K/FAXWEB.AL)