Oficeri gjyqësor Gentian Çitozi, i cili ishte pezulluar nga detyra pas kallëzimit në SHÇBA nga shtetasja Xhisiela Maloku, e cila e akuzonte atë se gjatë marrjes në pyetje nuk kishte vepruar sipas ligjit, është kthyer në detyrë.
Burime nga Komisariati nr. 3, thanë për Faxweb.al, se Gentian Çitozi ishte pezulluar përkohësisht nga detyra, nga kreu i këtij komisariati dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria. Kjo sipas tyre për shkak se pezullimi ishte i përkohshëm dhe zgjat vetëm 1 muaj. Pasi ka përfunduar ky afat, Çitozi ashtu siç e parashikon ligji, është rikthyer të ushtrojë detyrën.
Kujtojmë se Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka referuar materialet në Prokurorinë e Krujës për shpërdorim detyre dhe ndaj Çitozit ka nisur hetim penal.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se, Çitozi do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë dhe pse është person nën hetim dhe në rast se do të konstatohen shkelje, ndaj tij do të merren masa.
(B.B/ Faxweb.al)