Në programinë “E Diela Shqiptare” në Tv Klan,Edlira na tregoi historinë e saj që pas divorcit nga bashkëshorti e ka braktisur e gjithë familja; djali 14-vjeçar, nëna dhe motrat me përjashtim të njërës.
Mamaja e saj beson versionin e ish-dhëndrit dhe jo të vajzës së saj. Sot e kësaj dite, Edlira thotë se mamaja nuk i flet, ndërsa vazhdon të mbajë lidhje me ish-burrin. Sa i përket djalit, ajo shprehet se prej disa kohësh është distancuar edhe me të, për t’i lënë kohë që të reflektojë.
Për t’i ardhur në ndihmë Edlirës, gazetarja e “Ka një mesazh për ty” shkoi në Fier, aty ku banon edhe familja e Edlirës. Ajo u përpoq që të kontaktonte me të ëmën dhe ta ftonte tek “E Diela Shqiptare” për t’u pajtuar me të bijën. Mirëpo znj.Drita sapo pa kamerën dhe mësoi se gazetarja i dha mesazhin, ajo refuzoi ftesën për t’u bërë pjesë e programit. Mbi të gjitha ajo refuzoi që të takonte të bijën.
“Më akuzoi për tradhti, gjë që nuk ishte e vërtetë dhe e dinte shumë mirë. Thjesht për një fotografi, thjesht për një shoqërim në urgjencë kur unë ndihesha keq. Unë jam ndjerë keq një natë në vendin e punës ku unë punoj tani aktualisht, në një piceri si kamariere, jam ndier keq një natë dhe ka qenë në fund të Majit 2017. Kam tentuar ta marr në telefon ish- bashkëshortin tim, nuk më është përgjigjur.
Edhe unë jam shoqëruar nga kolegu i punës në urgjencë. Dhe për këtë kjo ishte tradhti. Aty filluan problemet. Ish-bashkëshorti komunikonte me nënën time dhe me motrat e mia, kurse me mua nuk fliste asnjë njeri. Mua më veçuan. Nëna besoi që kjo ishte tradhti. Kjo është e keqja. Si mund të besosh? Nëna dhe motrat e mia më mbyllën derën, të gjitha përveç njërës”, tregoi Edlira.
“Ik! Hiqe kamerën të lutem.Nuk kam nevojë për mesazhe. Shumë faleminderit. Nuk kam nevojë për mesazhe. Ikni tani të tërë”, tha mamaja e Edlirës, kur mori mesazhin nga vajza.
“Doja ta shikoja nënën time drejt në sy, e t’i thoja pse? Unë jam jot bijë, për çfarëdo lloj arsye, unë jam jot bijë, e do ngelem e tillë përjetë. Jam shumë e lënduar, jam shumë e vrarë shpirtërisht për çdo gjë”, përfundoi Edlira.