Deputeti i PD-së Ervin Salianji pas seancës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me implikimin e tij në çështjen “Babalja” dhe video-përgjimin e publikuar e Fredi Alizotit u shpreh se i ka vënë në dispozicion prokurorisë të gjitha detajet për çështjen.
“Që ta kuptojnë qytatrët do të thotë se jam person nën hetim, pasi denoncuesi më kallzoi. Kriminel i dënuar për trafik drogë Argon Xhafaj më ka kallëzuar mua dhe gazetarin Jetmir Olldashi, ndërkohë ai nuk është paraqitur asnjë here të dëshmojë apo të pyetet.”- tha ai.
Sipas tij, prokuroria ishte po aq e qartë sa edhe publiku që rrjedha nuk ka ndryshuar dhe ka tashme edhe persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen.
Ju jeni personi që keni publikuar videon 2, ku është realizuar nga kush?
I kam dhënë gjithçka prokurorisë, të gjitha detajet për çështjen i kam dhënë te prokuroria.
Kë besoni te Alfred Alizoti, versionin e parë apo të dytë?
Unë besoj në zot, te Alizoti beson Edi Rama.
Kujtojmë që Ervin Salianji, të martën, publikoi edhe një video-përgjim që hidhte poshtë versionin e prokurorisë, në lidhje me komunikimin me telefon të dëshmitarit X me Alfred Alizotin.
Në pamjet e transmetuara, Alizoti nuk e di se po regjistrohet thotë se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës. Alizoti tha se Taulant Balla i ka ofruar 200 mijë euro dhe me të ka pirë një kafe tek prokuroria.
(M.Q/Faxweb)