Kreu i PD-së Lulzim Basha ka përfunduar dëshminë e tij në prokurori për çështjen Xhisiela. Basha u shpreh se ai nuk intimidohet dhe as Partia Demokratike nuk ndalet në misionin e saj për të shkëputur krimin nga qeverisja.
Lideri demokrat ka ngjitur shkallët e prokurorisë së Tiranës në orën 12:15 minuta, ndërsa ka dalë në orën 12:40 minuta. Basha ishte vetëm në prokurori, pasi nuk shoqërohej nga asnjëri nga ndihmësit e tij ligjor.
Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi që të jepte detaje nga dëshmia që bëri para prokurores Elsa Miha se çfarë provash ka që Taulant Balla ka qenë në komisariatin e Fushë Krujës në datë 21 korrik.
“Dy deputetë të opozitës janë thirrur sot në prokurori. Salianji sepse është kallëzuar nga një trafikant droge dhe unë ngaqë jam kallëzuar nga një politikan bandit i lidhur me krimin. Kur regjimet e kriminuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën e dëshpëruar për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar pushtetin e tyre të inkriminuar.
Thirrja e kryetarit të opozitës nga një regjim kriminal për tu paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal. Ndaj sot Kam një mesazh të qartë për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre në shtet, media dhe kudo: PD, unë dhe të gjithë shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet e shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze.”, u shpreh Basha.
(E.K/FAXWEB.AL)