Një azerbajxhanas me shtetësi të Ukrainës dhe banim në Çeki, i cili u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për trafik narkotikësh, pretendoi se ishte viktimë e një kurthi serbo-shqiptar. Ai thotë se 18.5 kg kanabis në makinën e tij i kishte futur një serb me emrin Peter në bashkëpunim me një shqiptar të Kosovës.
I arrestuar nga policia më 19 korrik 2017 ndërsa po kalonte doganën në Hanin e Hotit me një sasi prej 18.5 kilogramësh hashash, Elchyn Ragimov, 43 vjeç, i lindur në Azerbajxhan dhe banues në Pragë të Çekisë, por me shtetësi ukrahinase tha para gjykatës se ishte viktimë e një konspiracioni.
Ragimov që u dënua të ejten më 11 tetor nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 6 vjet e 8 muaj burgim, tha se ishte mashtruar nga një serb i paidentifikuar që atij i ishte prezantuar si Peter dhe një shqiptar i Kosovës.
Megjithatë gjykata, e cila i la prokurorisë detyrë të hetonte në vijim për bashkëpunëtorët e tij, vendosi të mos e pranonte alibinë e Ragimov, të cilin e shpalli fajtor. Avokati i 43 vjeçarit Agim Tirana kërkoi pafajësi dhe tha se prokuroria nuk kishte hetuar për të zbuluar personat e tjerë në histori.
Ragimov me gjasë është një ndër të huajt e joshur nga bumi shqiptar i kanabisit 2 vjet më parë. Ai udhëtoi për në Shqipëri me një makinë të marrë me qira në Pragë dhe pasi qëndroi disa ditë në Durrës, u nis bashkë me drogën për në Çeki. BIRN ka identifikuar disa raste të huajsh që po gjykohen pasi u kapën ndërsa synonin të kalonin sasi të ndryshme kanabisi jashtë vendit. Po ashtu analiza e përvitshme e punës e Prokurorisë së Përgjithshme identifikoi rritjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve nga viti 2016 në vitin 2017.
Në disa raste të huaj të ndryshëm u arrestuan dhe dënuan vetëm për posedim të disa gramëve. Një shkrim i BIRN në vjeshtë të vitit 2017 gjeti se disa prej tyre besonin se mund të kalonin kufirin me sasi të vogla, të ndikuar edhe nga lajmet për Shqipërinë si parajsë e kanabisit.
Në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thuhet se Ragimov, po udhëtonte me mjetin tip “Opel Astra”, ngjyrë e bardhë me targë 5AR2462, pronë e kompanisë “European Lease”, me seli në republikën çeke. Gjatë një kontrolli të detajuar i janë gjetur të fshehura në makinë pako të mbështjella me natriban dhe pas numërimit kanë rezultuar në total 24 pako me lëndë narkotike me peshë 18.5 kg.
Sipas prokurorisë, gjatë marrjes së deklarimeve, i pandehuri ka pretenduar se dy ditë para ngjarjes është kontaktura nga një shtetas serb me emrin Peter, të cilit i ka shërbyer në disa raste si taksi, duke e marr nga aeroporti në hotel.
Ragimov ka pohuar para hetuesve se shtetasi serb i ka kërkuar që ta merrte me taksi në një hotel, i cili ndodhet në plazhin e Durrësit, për ta çuar në Serbi, në shtëpinë e tij. Më tej ai ka sqaruar se ka komunikuar tre herë me këtë person dhe se ka fjetur në hotel në dhomën 301, kurse shtetasi serb, së bashku me një burrë plak që bënte përkthyesin, kanë fjetur tek dhoma 106.
Ukrahinasi ka deklaruar se ka fjetur dy netë në hotel dhe të gjitha shpenzimet i ka paguar Peter. Më tej, ai u ka pohuar hetuesve se më datën 18 korrik 2017, Peter i ka shkuar në dhomë dhe i ka marr çelësat e makinës për të futur rrobat sepse në datën 19 do të niseshin.
Ragimov tregoi se, në orën 1 të datës 19 atij i ka shkuar tek dhoma Peter, i cili i ka thënë të nisej pa të, pasi kishte punë dhe nuk mund të vinte. Ai i ka dhënë çelësat e makinës dhe lekët e karburantit, kurse pjesën tjetër të parave që i detyrohej i ka premtuar se do ja jepte kur të shkonte vetë në Pragë.
I pandehuri ka pretenduar se gjatë gjithë rrugës deri në Hanin e Hotit e kanë parakaluar vazhdimisht dy mjete, njëri prej të cilave, një Golf i zi me targa serbe, i cili kaloi kufirin vetëm pak para se ai të futej në doganë.
Por, sipas prokurorisë, këto pretendime të Elchyn Ragimov janë të pabesueshme dhe nuk përputhen me të dhënat e nxjerra nga ekspertimet kompjuterike të telefonave në posedim të tij.
Në konkluzionet e prokurorisë thuhet se në telefon nuk u gjetën komunikime të tij me shtetasin serb dhe se nga këqyrja e regjistrit të klientëve në hotelin e pretenduar, nuk ka rezultuar të dhëna në lidhje me personat e tjerë të pretenduar nga i pandehuri. Përkundrazi prokuroria thotë se mesazhet e gjetura ishin nga numra telefoni grekë dhe shqiptarë.
Prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin e të pandehurit Elchyn Ragimov për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”, e mbetur në tentativë. Me 10 vjet heqje lirie dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e tij me 6 vjet e 8 muaj burgim.
Avokati Agim Tirana kundërshtoi prokurorinë dhe pretendoi se ajo nuk ka verifikuar pretendimet e klientit të tij lidhur me dy personat e tjerë, që sipas tij janë autorët e vërtetë të tentativës së trafikimit të lëndës narkotike. Avokati Tirana thotë se më datë 17 korrik 2017, në kufirin Shqiptar Morinë-Kukës ka hyrë një shtetas kosovar 65 vjeç dhe nuk rezulton që të jetë larguar më nga Shqipëria.
Sipas tij, ky shtetas kosovar ka fjetur në dhomën 106, të hotel “Virxhinia” së bashku me një person tjetër të cilit nuk i është shënuar emri, pikërisht në dhomën që ka deklaruar i pandehuri. Ai ka shtuar se, prokuroria nuk e ka pasur të vështirë të gjente shtetasin kosovar, kur diheshin targat e autoveturës së tij dhe numri i letërnjoftimit.
Më tej, avokati Tirana ka pohuar se, në numrin e celularit të të pandehurit, sipas procesverbalit të datës 30 korrik 2017 të këqyrjes së telefonit, rezultojnë me dhjetëra thirrje të kryera në datat 15-16-17-18-19 korrik 2017, për të cilat nuk është treguar interes për të deshifruar se kujt i përkasin. Ai pohoi se, në ambalazhin e lëndëve narkotike nuk janë evidentuar gjurmë gishtash të të pandehurit. Avokati Tirana ka kërkuar që në këto rrethana, klienti i tij të shpallet i pafajshëm, pasi nuk është bërë e mundur të zbulohen autorët e vërtetë, por edhe aplikimin e gjykimi të shkurtuar.
Vetë i pandehuri ka kërkuar që të kryhet një analizë e plotë e telefonit, duke pretenduar se nuk ka pasur një telefon “Aligator”, ashtu si pretendon prokuroria. “Jam i pafajshëm! Jam në faj vetëm pse i dhashë çelësat serbit që të fuste çantat në makinë”, ka pohuar ai para gjykatës.
Por gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Elchyn Ragimov dhe dënimin e tij me 10 vite burgim e në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e tij përfundimtar me 6 vite e 8 muaj burgim. Gjykata megjithatë ka vlerësuar që disa nga provat materiale, konkretisht celularët të mbeten në dosjen e procedimit të ndarë për vazhdimin e hetimeve për gjetjen e bashkëpunëtorëve të ukrahinasit.