Shqipëria do të përballet të dielën me Izraelin, në takimin e tretë të vlefshëm për grupin 1 të Ligës C në kompeticionin e Ligës së Kombeve.
Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka dalë këtë të shtunë përballë medieve në konferencën e fundit, i shoqëruar nga kapiteni kuqezi, Mërgim Mavraj.
Një grup shumë i ekuilibruar, me të tre ekipet në të njëjtën kuotë pikësh, 3 në dy ndeshje, por me Shqipërinë që renditet në vend të tretë, për shkak të golavarazhit më negativ.
Duket se në Kombëtarja është një atmosferë optimiste…
Jam optimist, sepse i kam parë djemtë që kanë punuar me shumë profesionalizëm, është java më e lumtur që kur kam marrë drejtimin e Shqipërisë. Izraeli ka luajtur tri ditë më parë, por gjithçka varet nga ne, nëse do t’i vëmë në vështirësi.
Mund ta zbuloni formacionin që do të luajë ndaj Izraelit?
Formacionin dhe mënyrën sesi do të luajmë e kam zgjedhur. Do ta shohim nesër 11-shen titullare. E kam patur në kokë formacionin pasi kam parë ndeshjen Izrael-Skoci.
A ka probleme fizike skuadra? Është gati Grezda?
Grezda është rikuperuar, nuk ka probeme, skuadra është shumë mirë. Më vjen shumë keq për Mihajn, është një djalë shumë serioz, edhe për Veselin. Do t’i kemi në të ardhmen.
Në raport me takimin e “Elbasan Arenas”, çfarë ndeshje prisni?
Izraeli ka zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj Skocisë. Ishte krejt ndryshe, dukej si Skocia kundër nesh në Glasgoë. Kanë shumë cilësi dhe lojtarë të zotë, do të jetë ndeshje shumë e vështirë për ne.
A keni një koment për Balliun?
Jam i keqardhur për Balliun, sepse kishim dy dëmtime dhe i kërkuam Metzit ta grumbullonim për arsye emergjence. Urojmë që kjo t’i ndodhë trajneri të Metzit me lojtarët e tij. Sigurisht që ftesa bëhet 14 ditë përpara, por kur ke emergjencë, ndodh edhe kështu. Trajneri i Metzit nuk u tregua profesionit.
Një vit më parë kemi fituar 0-3 me Izraelin, e keni parë atë ndeshje dhe si mendoni ta përsëritni?
Çdo ndeshje është histori më vete, shpresoj që ta përsëritim atë sukses.
Sa e njihni Izraelin dhe lojtarët e mirë të tij?
E nohim shumë mirë, sepse kemi luajtur kundër njëri-tjetrit. Kemi lexuar se kanë disa ndryshime, por bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe e dimë që do të jetë shumë e vështirë.
Janë provuar disa skema, me cilën skemë do të luajmë?
Do ta shihni nesër, sigurisht. Do ta vendosë kapiteni pak më vonë (qesh).