Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama ka nisur fushatën e diskursit të tij publik se nga 1 Janari të gjitha kompanitë e basteve do të hiqen nga tregu dhe se shqiptarët do të shpëtojnë njëherë e mirë nga ky ves.
Po çdo të ndodhë realisht dhe a po shkon vendi drejt një monopoli në këtë sektor ndryshe nga sa thotë numri 1 i qeverisë? Gjasat janë që po, jo më larg se sot kompania ‘’Bastarena” ka sqaruar ndjekësit e saj në rrjetet sociale se aktiviteti i tyre do të vijojë edhe pas 1 Janarit, ndryshe nga sa është shprehur derimë tani qeveria. Sipas kësaj kompanie ajo është e vetmja që është e licensuar dhe nuk preket nga vendimi i marrë së fundi nga ana e qeverisë.
“Në zbatim të masave të marra nga qeveria, duke filluar nga data 1 janar 2019 do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike si dhe pikat e basteve/llotot, përvec atyre online. Bastarena, si e vetmja kompani e licensuar e lojrave të fatit online nuk preket nga këto ndryshime. Bastarena ju siguron se llogaritë tuaja janë plotësisht të sigurta dhe ju fton të luani dhe të argëtoheni”, shkruan kompania në përgjigjen e saj ndaj ndjekësve.
Mbetet e paqartë se kë duhet të besojmë në këtë rast, pasi edhe sot kryeministri Rama i është trembur kësaj situate, teksa ka dërguar dhe një sms për deputetët e tij, duke iu thënë se mund të ketë një lumë shpifjesh, për atë që konsiderohet si monopol online.
“Kanë nisur t’ju çojnë lumenj mesazhesh nëpër tel kundër mbylljes se basteve! Janë të orkestruara nga burgu e nga llagemet e atyre që fshihen pas kompanive, prandaj mos e vrisni mendjen dhe mos degjoni as shpifjen për “monopol online” sepse s’do ketë asnjë lloj monopoli!”- shkruante Rama në mesazhin dërguar deputetëve.
Tashmë na mbetet të presim 1 Janarin e vitit të ardhshëm për të prekur më nga afër efektet e kësaj nisme të qeverisë, që vlen të theksohet se ka dështuar njëherë më parë në atë aksion që u quajt ‘Fundi i Marrëzisë’.
(E.K/FAXWEB.AL)