Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ftuar në Intv i është rikthyer çështjes së padisë së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Cristiano Panuçi. Nishani tha se nuk e kapërdin dot faktin që një njeri i papërshtatshëm si Panuçi të bëjë leksione edukate. Sipas ish Presidentit, Panuçi menjëherë pas ndeshjes me Kosovën ka përdorur fjalor rrugaçerie përpara kamerave dhe familjeve shqiptare.
“Unë e ndjek kombëtaren, shiko zotëria ka një përgjegjësi padyshim, është trajneri. Por përgjegjësia ka edhe hierarki dhe shpërndahet. Unë nuk kam një polemikë fare me këtë zotërinë. Kam shprehur në një moment të caktuar, për shkak të disa rrethanave të caktuara, një opinion timin, në rrjetin tim personal social me miqtë e mi.
Zotëria është ndjerë i ofenduar , i është drejtuar gjykatës. Unë do të ndjek procesin gjyqësor se respektoj shtetin. Kam një merak që nuk mund ta pranoj dhe përtyp. Personi në fjalë është njeriu më i papërshtatshëm për të na thënë dhe treguar leksione edukate dhe në një intervistë menjëherë pas ndeshjes me Kosovën që ishte edhe një reagim masiv pakënaqësie, ka përdorur një fjalë përpara kamerave, përpara familjeve shqiptare ka përdorur një fjalor rrugaçerie.
Nuk është i pranueshëm në kodin shqiptar por as në çdo kod të një shoqërie etike. Ky person që bilbilos me këtë fjalor të papranueshëm, tenton të na japë edhe leksione edukate dhe qytetarie. Ky për mua është i papranueshëm, pjesa tjetër e çështjes është çështje që do të shqyrtohet nga gjykata. Unë mendoj që nuk është faji i tij. Mendoj që lepuri fle tjetër kund, por ferra ku fle lepuri duhet kosituar. Ajo mbetet për t’u parë në ditët që vijnë”, tha Nishani.
Kujtojmë që Panuçi e paditi ish-presidentin pas postimit të tij në Facebook, ku shprehej se ai ishte sharlatan dhe kërkoi 100 mijë dëmshpërblim.
(J.D/Faxweb.al)