Policia Rrugore ka vijuar me aksionet e saj me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia lajmëron se në kuadër të operacionit “Tispol 2018” të Policisë Rrugore të Tiranës brenda një jave janë arrestuar në flagrancë 27 shoferë si dhe janë pezulluar 124 leje drejtimi për shkelje të ndryshme. Gjithashtu janë vendosur 2730 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në njoftimin e policisë thuhet:
Krahas masave për garantimin e sigurisë rrugore, shërbimin e drejtpërdrejt për rregullimin e trafikut si dhe marrjen e masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve masive, Rrugorët e Kryeqytetit, janë angazhuar maksimalisht edhe me zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në Planin Operacional “Tispol 2018” për kontrollin e dokumentacionit të kursantëve, instruktorët dhe mjeteve Autoshkolla në territorin e kryeqytetit nga data 12-14 Tetor 2018, si dhe Planin e Masave për kontrollin dhe verifikimin e përdorimit të alkoolit dhe shpejtësisë së lëvizjes përgjatë gjithë javës dhe me shërbime të shtuara përgjatë fundjavës.
Nga verifikimet dhe kontrollet e ushtruara në funksion të detyrimeve ligjore që ka shërbimi i Policisë Rrugore si dhe në zbatim të Planeve Operacionale të ndjekura gjatë javë janë konstatuar dhe:
• Arrestuar në kushtet e flagrancës 27 shtetas, nga të cilët 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti të papajisur me leje drejtimi.
• Janë pezulluar 124 leje drejtimi, nga të cilat 52 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 39 për shpejtësi mbi normat e lejuara si dhe 33 për shkelje të tjera.
• 570 masa për shkelje të sinjalizimit rrugor vertikal dhe horizontal.
• Janë vendosur 346 masa për përdorim celulari.
• Janë vendosur 120 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve në vendkalimet e tyre.
• Janë ndaluar administrativisht 85 mjete, për detyrime të pashlyera.
• Si dhe janë vendosur 2730 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
• Janë kontrolluar 63 mjete Autoshkolla, nga të cilat janë ndëshkuar 4 prej tyre për mangësi në dokumentacionin përkatës.
Policia Rrugore , Ju uron suksese të gjithë stafit Akademik Universitar dhe veçanërisht studentëve si dhe apelon për më shumë përgjegjësi gjatë përdorimit të mjeteve rrugore, kryesisht në qendrat e banuara, vendkalimet e këmbësorëve dhe oraret e pikut të trafikut.
(B.B/ Faxweb.al)