Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, prej disa ditësh vijon me padi ndaj kolegëve opozitar dhe akuzuesve të tij, përfshirë këtu edhe gazetarë apo oficerë policie.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla ka paralajmëruar një tjetër kallëzim penal, pas atyre të bërë ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish-oficerit Emiljano Nuhu.
Balla ka paralajmëruar kështu edhe deputetin Genc Pollo, për sherrin e ndodhur në PE, pasi sipas tij ato që lexoi janë “paçavuret e Bashës, të lexuara nga Pollo”
Postimi i plotë:
Lulzim Basha është zyrtarisht në hetim për “kallëzim të rremë të kryer në bashkëpunim” me shpifës Nuhun. Pse nuk shkon PD t’i shohë kamerat e komisariatit dhe praninë time ???në komisariatin e Fushë-Krujës, apo edhe të vetë Nuhut? Ti Lulzim si person në hetim ke të drejtë t’i shohësh. Apo hajt se do harrohet. Nuk e le unë në harresë, Lulzim! Sepse dje turpërove Shqipërinë aspak mua, me një paçavure që i dhe të lexojë Pollua.
Edhe Ervin Salianji është zyrtarisht në hetim bashkë me Babale&co. Nesër tek Prokuroria e Krimeve të Rënda depozitoj kallëzim të plotë për vepra penale të kryera në bashkëpunim për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dorë për dore me Florenc Hoxhën, pazarxhinjtë e sëmurë që ranë brenda në kurthin që ngritën vetë me ca personazhe qesharakë e që nuk ka alibi që i shpëton.
Ti Lulzim duhet të sqarosh pazaret me këta persona, të bëra në SHQUP apo në oborrin e SHQUP-it. Kallëzimi dhe çdo informacion tjetër është në dispozicion të Prokurorisë, sepse shqiptarët duan të dinë të vërtetën sa më shpejt. Luli kërcen nga një degë në një degë, nga një gënjeshtër në tjetrën. Turp s’ka.
Lulzim mos kërko marrëveshje për t’u tërhequr nga kallëzimet. Do t’i shkojmë deri në fund secilës prej shpifjeve.
(B.B/ Faxweb.al)