Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shpallur kandidaturën për një mandat të dytë në krye të Bashkisë Tiranë.
“Duam një mandat të dytë, për të vijuar punën tonë”, ka thënë ai. Këto deklarata Veliaj i ka bërë nga një takim me banorët e njësisë nr. 3 nga palestra e shkollës “Hasan Prishtina”.
“Këshilltarët e PD kanë 3 vjet që nuk vijnë në Këshill Bashkiak dhe njëherë që vijnë shpifin. Dhe kur shpifin dënohen nga gjykata.
Këshilltarët demokratë nuk janë aty për interesin e qytetarëve, kur votohet bonuesi i qirasë, kur kalon plani për të ndërtuar një rrugë, një shkollë. Nuk janë asnjëherë aty. Nëse dikush nuk vlen për asgjë, pse duhet t’i mbani me rrogë. Miq që jeni në njësinë 3, ne na duhet mobilizim që të kemi shumicën e Këshillit Bashkiak që të mbajëm këtë ritëm reformash.
Nuk e meriton Tirana që të ketë anëtarë shpifsa në Këshillin bashkiak.
Çdo votë për Partinë Socialiste si për kryetarin edhe për këshillin që të mbajëm këtë hap investimesh”, ka thënë Veliaj.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ndërsa falënderoi votuesit e njësisë 3 për mbështetjen e dhënë, Veliaj shpalli kandidaturën e tij për një mandat të dytë.
Ai tha: “Mezi pres, që siç themi gjithmonë se më e mira është përpara. Më e mira për Tiranën dhe Njësinë 3 është përpara në këtë vit, në fitoren masive në zgjedhjet e ardhshme me një shumicë në Këshillin Bashkiak dhe me një mandat të dytë akoma më të fortë se ky i pari”.
(B.H/ Faxweb.al)