Lorik Cana po jeton në Shqipëri prej shumë kohësh, duke hapur edhe një fondacion me emrin e tij, nëpërmjet të cilit ish-kapiteni kuqezi kërkon të promovojë sportin dhe kulturën tek fëmijët në Tiranë.
Së fundi ai ka dhënë një intervistë për median franceze “Foot Mercato”, ku foli për projektet e ardhshme të tij. Cana deklaroi se pas një viti do të largohet nga Shqipëria për të vijuar karrierën si drejtues në një klub. Kujtojmë që ish-futbollisti po ndjek kurset për Licensën e UEFA, por ai nuk e shikon veten si trajner në të ardhmen.
“Tani drejtoj një fondacion për të promovuar sportin dhe kulturën te të rinjtë në Tiranë, ku jam vendosur deri në vitin e ardhshëm. Më pas, do të ndërmarr një karrierë si drejtues në një klub për të marrë eksperiencë për disa vite. Përse jo, për t’u kthyer në të ardhmen si një drejtues i Olimpic Marseille, do të më pëlqente”, tha Cana, shkruan Sportplus.
Sa i përket të ardhmes pas një viti që do të largohet nga Shqipëria Loriku shpjegoi se është në bisedime për të blerë një klub që nuk është në 5 ligat më të forta të Europës.
“Ka disa pista, vazhdojnë disa negociata për blerjen e këtij klubi, ndaj nuk mund të them ende asgjë konkrete. Ai është një klub që nuk bën pjesë në 5 kampionatet e mëdha europiane, por do të jetë një vend i shkëlqyer për të marrë eksperiencë. Dua të shoh nëse më pëlqen kjo jetë, nëse ndihem mirë në këtë rol dhe nëse mund të arrij të shkoj në një klub më të madh më vonë.
Unë jam më i orientuar nga drejtimi sportiv, ose më saktësish drejtimi në përgjithësi, nuk më ka tërhequr kurrë të jem trajner. Por më intereson shumë të menaxhoj”, zbuloi ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare. (B.H/Faxweb)