Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ish-gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj.
Altina Xhoxhaj u shkarkua nga posti që mbante, pasi nuk arriti të kalojë vetingun, por ajo vendimin e KPK-së e apeloi, ndërsa sot kolegji vendosi për lënien e vendimit të mëparshëm të KPK-së në fuqi.
Lajmi është bërë i ditur nga vetëm KKA, me anë të një njoftimi, ku shkruhet:
“Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ina Rama, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj, sot, më datë 24.10.2018, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen nr.8/2018 (JR) që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Altina Xhoxhaj kundër vendimit nr. 17, datë 03.05.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, bazuar në pikat 3 dhe 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës, në pikat 3 dhe 5 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenin 66 pika 1, germa “a” të ligjit nr.84/2016, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 17, datë 03.05.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Altina Xhoxhaj.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
3. U shpall sot në Tiranë, më datë 24.10.2018.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të publikojë vendimin e plotë të arsyetuar brenda 30 ditëve nga shpallja e tij.”
Kujtojmë se “Komisioni i Vettingut, që është shkalla e parë, deklaroi se rezultonin të pajustifikuara disa nga pasuritë e gjyqtares kushtetuese, për të cilat Xhoxhaj replikoi duke kërkuar t’i llogariteshin edhe të ardhurat e bashkëjetuesit.
(B.B/ Faxweb.al)