Ditën e djeshme agjencia shtetërore gjermane e lajmeve, Deutsche Welle, duke komentuar operacionet e fundit kundër organizatës kriminale “Adyli”, mes të tjerave shkruante:
“Megjithatë, suksesi i operacioneve policore të kësaj jave ka rritur shpresat, se kjo (mosndëshkimi) mund të ndryshojë së shpejti dhe se politikanët e nivelit të lartë do të përgjigjen para drejtësisë, nëse janë të përfshirë në trafikun e drogës”
Duke pasur parasysh, se këto operacione “të javës së fundit” janë ndjekur dhe ekzekutuar nga fillimi në fund nga agjencitë sekrete dhe të anti-krimit gjerman, paralajmërimi i mësipërm (se ka ardhur radha e peshqve të mëdhenj) që në fakt, Edi Ramës, i ka shkuar edhe zyrtarisht në zyrë, paniku dhe lufta e egër brenda llojit që shpërtheu ditët e fundit, ka kuptim dhe logjikë.
Por kush është “peshku i madh”, që ka rënë që nga viti 2016 në rrjetën e shërbimeve gjermane?
Vetë njeriu më i afërt i Edi Ramës, në punë elektorale e të zeza. Çështja nuk është se Ramës “i pret barku” shumë për Dakon, por “Xhuxhi” që përfaqëson brenda Rilindjes “Klanin e Durrësit”, njësoj si Saimir Tahiri që e bën sistematikisht; i dërgoi një paralajmërim që nga studio e emisionit Opinion: “Mua më kanë kapur me telefonatat, por Rama ka mesazhet…”.
Ky shantazh i hapur bëhej brenda një teme, ku flitej për telefonata e mesazhe të zyrtarëve më të lartë të shtetit, me pjesëtarë të organizatave kriminale.
Duke qenë se arrestimi i Vangjush “Xhuxh” Dakos ishte çështje orësh, “Klani i Durrësit” u hodh në veprim. Pengesa më e madhe pasi kishin kopsitur “letrat” në prokurori ishte Fatmir Xhafaj, që përfaqëson një grupim tjetër rival, brenda PS-së.
Xhafaj si një individ që bënte si “i fortë” dhe merrte edhe guximin të deklaronte se, “përderisa çova me duart e mia vëllanë në burg, për vëllezërit e vëllamët e të tjerëve nuk pyes”, kishte harruar se grupi tjetër nën udhëheqjen e Engjëll Agaçit, i kishte tejkaluar me kohë metodat që përdorte ai dikur, si ish-sigurims.
Mesazhi i Ramës nga takimi me fermerët e Lushnjes i cili zbuloi; “Kujdes kur anëtarësoheni në Partinë Socialiste, ka kushte të vështira. Une hoqa dore nga e dalura nudo. Bëni llogaritë nëse nuk hiqni dot dorë pasi të hyni në PS”, ishte fare i qartë; mos të guxojë askush që të hedhë vickla, se ne i kemi marrë të gjitha masat me kohë…
Bëhet fjalë për të shpëtuar Vangjush Dakon, i cili me sinqeritetin që e karakterizon thuhet, se po përbetohet poshtë e përpjetë, se nëse Rama nuk e mbron deri në fund, atëherë ai do t’i tërheqë të gjithë në qelinë e tij të burgut.
Kështu “Grupi i Durrësit” me `Xhuxhi` Dakon, Engjëll Agaçin, Blendi Klosin, Vali Bizhgën etj, si dhe në prapavijë Olsi Ramën, Gaz Demin, Saimir Tahirin dhe “familjet e mëdha” prapa perdes, me një gur vranë dy zogj.
Arritën të shtyjnë në kohë prangat në kyçet e Gjushit, por njëkohësisht rimorën kontrollin e Ministrisë së Brendshme dhe të policisë.
Pas gjithë këtij operacioni të sofistikuar tipik mafioz, kemi Dakon të “qetësuar” tani për tani dhe në krye të ministrisë së Brendshme, një zar e vegël të klanit të mësipërm, i cili edhe pse mban spaleta gjenerali, për 5 vjet si këshilltar i Ramës për sigurinë heshti “si peshk në akuarium”; për kanabizimin e vendit; për avionët që e drogës që thyen sigurinë e qiejve shqiptarë; për radarët e ushtrisë që u vunë në shërbim të trafikantëve etj etj.