Arben Kola, aktivist i njohur për çështjet kombëtare në një intervistë për ‘Fax News’ ka komentuar ngjarjen e fundit në Bularat, ku gjatë ceremonisë për ushtarët e rënë grekë gjatë luftës së dytë botërore një 35-vjeçar, i njohur si Kostandinos Kaçifa qëlloi ndaj policisë shqiptare duke zbrazur gjithë karrikatorin, por fatmirësisht asnjë nga policët nuk u lëndua.
Kola tha se ai është një person i paguar nga ‘Agimi i Artë’ për të hapur zjarr, ndërsa kritikoi fortë shtetin shqiptar që sipas tij merr masa për mbrojtjen e ektremistëve grekë, ndërsa atdhetarët shqiptarë nuk i lë të protestojnë në territorin shqiptar.
Kola artikuloi edhe një akuzë të fortë kur tha se ai së bashku me disa aktivistë nuk kishin shkuar për të protestuar sot në Bularat pasi kishin informacion se do të qëlloheshin me snajper.
“Ne bashkarisht me shoqatën “Atdheu” dhe disa shoqata të tjera atdhetare, vendosëm me datë 23 që të protestonim, me Elidën kishim vendosur pak më herët, por Elida tha që do dorëzonte një kërkesë më vete, dhe ne vendosëm që të dorëzonim një kërkesë më vete por asnjëra nuk u mor parasysh. Motivacioni ishte se kemi dy ndeshje futbolli dhe nuk kemi forca të mjaftueshme policore, domethënë një motivacion I kotë, por forcat e policisë nuk janë të mobilizuar në ndeshje futbolli por ishin mobilizuar për të mbrojtë ekstremista të Agimit të Artë për të ardhur dhe krijuar terror pikërisht në Bularat, brenda territorit shqiptar. Dhe sot pati incidente, ne morëm informacion, prandaj morëm vendim mbrëmë, dje pasdite, që të mos shkonim pasi do krijonim edhe një provokim tjetër me grekët”, tha ai, pavarësisht se ne do shkonim në protestë në territorin shqiptar”, tha Kola.
“Ne rrezikonim të ishim viktimë e dy palëve, e shtetit shqiptar dhe ekstremistëve të Agimit të Artë të cilët qëlluan, ne kishim informacion që do qëllonin edhe me snajper në aktivistët, pasi kështu vuloset terrori brenda territorit shqiptar. Është akuzë e rëndë, por u vërtetua në Bularat”,
I pyetur nga gazetarja e ‘Fax News’ Mirilda Tili se kush ua kishte dhënë këtë informacion pasi kjo ishte një akuzë e rëndë, Kola u përgjigj: “ E kishim nga burimet tona. Kemi atdhetarë që punojnë jashtë Shqipërisë dhe punojnë në shërbime inteligjente të ndryshme, kemi dhe njerëz në shërbimin sekret, siç shteti shqiptar, dhe na thonë i kemi duart e lidhura, por ky është informacioni, dhe kjo u vërtetu në Bularat”.
Ngjarja
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bularat në njësinë administrative Dropull në Gjirokastër. Pak minuta para nisjes së ceremonisë përkujtimore të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke, një 35-vjeçar ka qëlluar me automatik në ajër. Kur drejt tij kanë shkuar forcat e policisë, autori i sulmit, një shtetas grek, i cili jeton dhe punon në Greqi, Konstantinos Kacifas, ka hapur qëlluar me breshëri drejt makinës së tyre, duke iu rrezikuar jetën. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëme materiale, ku është thyer xhami i makinës së policisë.
Menjëherë, policia është vënë në ndjekje të autorit të sulmit, dhe ka rrethuar zonën. Sapo ka parë sërish policinë, Kacifas ka qëlluar sërish drejt tyre.
Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se ishte i pirë. Kacifas njihet në fshat si një person me probleme mendore. Në zonë po patrullojnë helikopterë, dhe dronë për të bërë të mundur kapjen e tij. Mësohet gjithashtu se në ndihmë të policisë së Gjirokastrës kanë shkuar edhe forcat RENEA dhe ato Shqiponja.
Njoftimi i policisë:
Bularat, Gjirokastër.
Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tye.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.
Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe sherbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.
(B.H/Faxweb)