Pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë si dhe Policisë së Shtetit, ku kjo e fundit sqaron të gjithë ngjarjen e ndodhur në Bularat, ku mbeti i vrarë nga RENEA shtetasi grek, Konstandinos Kacifas, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme shpreh zhgënjimin e saj nga reagimi i Ministrisë homologe greke, ku shprehet se se rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh keqardhjen teksa thotë se pala greke jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.
Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.
Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.
(B.B/ Faxweb.al)