Ditën e sotme në fshatin Bularat të Gjirokastrës pritet që të varroset 35-vjeçari grek Konstantinos Kacifa, i cili u vra dje nga ana e RENEA-s për shkak se gjuajti me kallash në drejtim të policisë.
Për këtë ngjarje ka hedhur më shumë dritë gazetari minoritar Vasil Kaliva, i cili thotë se ngjarja është zmadhuar sidomos për shkak të reagimeve të ndryshme në rrjetet sociale.
Sipas tij Kacifa nuk ka qenë ekstremist, ndërsa duke cituar familjarët thotë se armët që ka përdorur nuk i mbante në banesë.
Po ashtu Kaliva ka zbardhur për Fax News të vërtetën e tij lidhur me nisjen e sherrit mes viktimës dhe policisë.
‘’Në momentin kur erdha në Bularat po vinte një helikopter, po nuk kishte të shtëna. Nuk pashë njeri me armë, vetëm se kishte shumë policë, u largova pas mitingut. Kur shkova në Gjirokastër më erdhi mesazhi që Konstandini ishte vrarë. Ai ka qenë duke pirë kafe me njerëz të tjerë te lokali i fshatit, dhe me aq sa kam parë unë ai nuk ishte ekstremist, vetëm se kishte pasion ngritjen e flamurit.
Para pesë ditësh ka pasur një presion nga ana e policisë këtu, që Konstandino të mos ngrinte një flamur të madh në qendër të fshatit Bularat. Nuk ka pasur asnjë flamur të ulur. Sipas fshatarëve më thanë që punonjësi i policisë me emrin Qani i nxori pistoletën këtu në qendër dhe i tha ‘’hajde me ne”, pa filluar që ai tiu gjuante. Pas kësaj ka vrapuar dhe ka marrë kallashin.
Unë pyeta dje babanë e tij, i cili më tha se në shtëpi nuk ka pasur asnjë armë, e ka pasur të fshehtë në fshat. Familja kërkon vetëm drejtësi, nuk kërkon hakmarrje. Unë jam kundër statusve në Facebook, unë jam kundër atij gazetarit që del në studio dhe kujton ngjarjet e 94. Thotë pushka top, djemtë e RENEA-s. I bëj thirrje që të tërhiqet nga këto deklarata ”, është shprehur Kaliva për Fax News, duke iu referuar Artan Hoxhes.
(E.K/FAXWEB.AL)