Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar menjëherë pas daljes së tij nga prokuroria, duke thënë se do të flasë për pak ditë lidhur me çështjen për të cilën është nën hetim.
Tahiri deklaroi se ka dorëzuar në prokurori prova decizive lidhur me hetimet që po kryhen ndaj tij.
Tahiri kërkoi mirëkuptimin e gazetarëve që të presin dhe disa ditë që ai të bëjë publike fakte që lidhen me hetimin ndaj tij, duke shtuar se ai vetë ka një vit që çfarë nuk dëgjon dhe ka zgjedhur heshtjen.
“Unë paraqita diçka që ka rëndësi decizive për procesin, por kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë që keni ardhur deri këtu. Unë do të flas pas dy tre ditësh, nuk kam frikë asnjë. Unë kam mbi një vit ndoshta që dëgjoj dhe kam heshtur, prisni ju dhe dy ditë”, është shprehur Tahiri.
Prej më shumë se një viti Tahiri është nën hetim nga ana e prokurorisë për lidhjen e tij me grupin e Habilajve.
Prej shumë kohësh Tahiri i ka shmangur daljet e tij në media, ndërsa vetëm të shtunën anulloi një konferencë për mediat, anullim i cili koncidoi pikërisht me dorëheqjen e pasuesit të tij në krye të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafajt.
Edhe pse Tahiri është përpjekur që të mohojë rolin e tij në çështjen Xhafaj, zëra në radhët e opozitës dhe mazhorancës flasin për një presion ndaj Ramës nga dy ish-ministrat e tij, që duket se kanë mjaft material për t’i prishur punë qeverisë.
(E.K/FAXWEB.AL)