Vrasja e 35-vjeçarit grek Kostantinos Katsifas në Bularat të Gjirokastrës, i cili hapi zjarr ndaj policisë shqiptare ka shkaktuar një valë reagimesh si nga ana shqiptare ashtu edhe nga ajo greke.
Autoritetet greke kanë vënë në pikëpyetje punën e policisë, ndërsa kanë kërkuar një ekspertizë të përbashkët për ngjarjen e ndodhur, ndërsa shteti shqiptar ka kërkuar distancimin e politikës greke nga kjo ngjarje, pasi 35-vjeçari kishte rrezikuar ndjeshëm jetën e efektivëve dhe banorëve vendas.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-drejtuesi i repartit të RENEA-s, Sadetin Fishta, i cili në një prononcim për Top Channel, shprehet se RENEA nuk merr urdhër për të qëlluar dhe se ata ndjekin procedurën pa u ndikuar nga rrethana të jashtme. Sipas tij gjithçka është zhvilluar në Bularat ka ndodhur konform ligjit.
“RENEA nuk merr urdhër për përdorimin e armës, reagon në përputhje me ligjin në kushtet e mbrojtjes dhe nevojës ekstreme”, ka thënë ndër të tjera ish-shefi i stërvitjes dhe operacioneve, RENEA, Sadetin Fishta.
Objektivi i Reneas në operacionin e fundit rastisi të ishte një minoritar grek, por kjo njësi është e trajnuar të mos ndikohet nga faktorë të jashtëm.
“Efektivët e RENEA-s janë të fokusuar tek elementi kriminal dhe jo tek përkatësia e tij. Kur ky element kriminal, rrezikon jetën e qytetarëve, të vetë punonjësve të policisë dhe qëllon me armë drejtpërdrejtë tyre, normalisht që pasojat do jenë fatale”, shton ai.
Kujtojmë se sipas procedurave çdo operacion i RENEA-s, ashtu dhe ky i fundit do i nënshtrohet një analize të detajuar, ndërsa deri më tani rezulton se kjo njësi ka zbatuar të gjitha procedurat standarde si negocimi por viktima nuk iu bind thirrjeve për vetëdorëzim duke vijuar sulmin ndaj policisë.