Kryeministri Edi Rama, prej dy ditësh ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kukës, ndërsa është pritur me protesta nga qytetarët.
Në protestën e mbrëmshme nën thirrjet “Rama ik” dhe “Turp, turp”, qytetarët qëlluan edhe me flakadanë në drejtim të Kryeministrit, ndërsa ky i fundit i quajti në fjalën tij si “grup zoologjik”.
Kjo ka bërë që të reagojë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, i cili teksa e akuzon Ramën për mendësi komuniste, e ka paralajmëruar atë për nisjen e një vale protestash për rrëzimin e tij.
Postimi i deputetit:
Z.Kryeministër!
Teksa dëgjova etiketimin tuaj ndaj protestuesëve të djeshëm në Kukës dhe Has, “si grup kafshësh të kopshtit zoologjik”, menjëherë mu kujtua një nga legjendat urbane të viteve 90, në kohën e protestave të para antikomuniste, ku thuhej se një nga pjestarët e familjes së diktatorit Hoxha ishte shprehur për shqiptarët : “U zgjuan kafshët”. Siç duket, reminishenca dhe mendësia komuniste ndaj atyre që nuk mendojnë si ju, që nuk ju duan, që nuk janë dakort me ju, qenka më e thellë seç duket. Ju e dini fort mirë z.Kryeministër që ajo zonë, është ndër trevat më vitale të shqiptarisë, ju e dini që kuksianët, tropojanët, hasjanët, janë ndër njerëzit me shpirtin më të lirë. Ju e dini fort mirë se i tillë ishte Hafzi Nela, i cili u var në agoni të rregjimit komunist pikërisht, sepse donte lirinë dhe fjalën e lirë, i tillë ishte Azem Hajdari, prijësi i lëvizjes studentore. Ju e dini që Qarku i Kukësit është qarku më i varfër, ku varfëria, papunësia, emigracioni janë në nivele alarmante. E në të tilla kushte, ju duhet ta dini se jo të gjithë shqiptarët ndajnë të njëjtin mendim për ju, si sejmenët tuaj. Me këtë mendësi për banorët e Qarkut Kukës, për njerëzit që protestojnë, për fjalën e lirë, ju nuk mund të jeni kurrë kryeministër i gjithë shqiptarëve, ju nuk mund të jeni kurrë kryeministri që udhëheq lokomotivën tonë drejt Europës. Ju siguroj se, protestat e kukësianëve e hasjanëve do të jenë sipari nga ku do të fillojë uragani i protestave për largimin e mazhorancës tuaj varfëruese e shkatërruese për shqiptarët.
(B.B/ Faxweb.al)