Ditën e djeshme ekstremisti grek Babis Karathanos ishte ai që i printe arkëmortit të Konstantinos Katsifas, 35-vjeçarit që u vra nga forcat RENEA në Bularat.
Karathanos ka hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në kufi dhe për këtë ai u ndalua pasditen e djeshme nga Policia e Gjirokastrës dhe do të procedohet në gjendje të lirë. Pas lirimit ai ka pasur një mesazh dhe ndaj qeverisë shqiptare, duke e akuzuar atë për trajtimin që i është bërë në rajonin e policisë.
“Unë shpresoj se pas praktikave të ndjekura nga regjimi shqiptar kundër nesh dhe kundër minoritetit grek, të gjithë ta kenë kuptuar se kush janë ata që qeverisin në vendin fqinj!”, shkruan Karathanos pas lirimit të tij.
Sipas mediave greke dje në Bularat kanë qenë të pranishëm rreth 3000 qytetarë grekë, të cilët u intimiduan nga kontrollet e shumta që u bënë në kufi me Shqipërinë. Nga ana tjetër koret e urrejtjes së përdorura nga të pranishmit kanë nxitur një sërë debatesh në vendin tonë, nëse duheshi lejuar apo jo hyrja në kufi e ekstremistëve grekë.
Vetë kryeministri Rama i ka quajtur këta persona: Te pagdhendur, qe jetojne si hiena e kendojne si korba! Jane qenie te mjera qe perdhosin te vdekurin qe medemek respektojne dhe ulin dinjitetin e flamurit te kombit te tyre – nje komb qe i ka dhene shume njerezimit; nje popull qe s’ka qene e s’mund te jete kurre armiku yne; nje vend ku shqiptaret kane gjetur strehe, njesoj siç kane gjetur greket strehe tek ne dhe qe edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin te kete derrat e gomeret e vet.
12 grekët e ndaluar u liruan në orët e para të mëngjesit, dhe me insistimin e deputetit Vangjel Dule, i cili ka qëndruar përgjatë gjithë mbrëmjes së djeshme në komisariatin e policisë së Gjirokastrës. Dule i quajti normale thirrjet antishqiptare që u bënë dje në Bularat.
Ndërkohë që për situatën në Bularat u shpreh dje dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras, i cili kërkoi që të uleshin tonet.
“Sot është një ditë zie, si për familjen, edhe për vendin në përgjithësi. Nuk kam shumë gjëra për të thënë, por ju siguroj se Greqia bëri gjënë e duhur që në momentin e parë, ditën e parë që ngjarja ndodhi. Shqipëria na premtoi se do të zbardhë ngjarjen në mënyrë të qartë dhe të plotë.
Në fakt kjo ishte një ngjarje që në Bularat atë ditë ishim në varrezat e ushtarëve tanë, të heronjve të rënë në Shqipëri, që prej më se 70 vitesh. Qeveria përfaqësohej prej ministres së kulturës. Ishte një ngjarje jo e këndshme, por të dy vendet, duhet të ecim para për të vazhduar dialogun e nisur, të caktojmë të drejtat për minoritetin tonë që jeton atje, por njëherazi të zgjidhim edhe çështjet që preokupojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”, deklaroi Tsipras.
(E.K/FAXWEB.AL)