Partia Demokratike, me anë të deputetit Luçiano Boçi, reagoi pas deklaratës së Astrit Avdylit, i cili tha se i qante hallet tek PS dhe Dako. Sipas Boçit, “Dëshmia e kreut të bandës së Avdylajve për miqësinë me kreun e Bashkisë së Durrësit provon se Dako është peng i krimit”, e për këtë ky i fundit duhet të ishte në burg.
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigjia e Dakos, i cili shprehet se do të padisë edhe Luçiano Boçin, pas këtyre deklaratave.
“Asnjëherë s’e kam kuptuar dot si mund të ketë qenë pedagog një njeri kaq qesharak sa Luçiano Boci! Sot ka dalë Luçi dhe përveç avazit të dosjes 399 paska folur i emocionuar nga deklarata e njërit nga Avdylajt në gjyq.
Për të qarë dhe për të qeshur edhe Avdyli edhe Luçi edhe Lul Peshku bashkë!
Njëri del ne gjyq dhe mirë që nuk kërkoi edhe krehër para pushkatimit të togës gjermane. Tjetri del tek partia dhe kërkon llogari nga unë për një deklaratë qesharake që flet vetë më shumë se çdo koment për autorin!
Ky Luçiano më mungonte në listën e gjyqit dhe do futet sot direkt, po ndërkohë po i çoj dhe një disk të Ribla Çorbes se ky është si tip këngëtari jugosllav nga ata të kabareve komuniste!”, – shkruan Dako në rrjetet sociale.
Deklarata e plotë e Luçiano Boçit:
Deklarata në gjykatë e kreut të bandës së Avdyljave se kishte miqësi me Vangjush Dakon duhet të kishte vënë sot në alarm prokurorinë, e cila duhet të niste menjëherë hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Durrësit.
Vangjush Dako ka mashtruar publikisht, kur ka deklaruar se me bandën e Avdylajve ka komunikuar vetëm gjatë fushatës elektorale. E vërteta është se ai ka miqësi me bandën që bën trafik ndërkombëtar droge nga Amerika latine në Europë, e ka përdorur bandën për të blerë vota dhe më pas i ka dhënë favore nga pushteti i tij dhe i Edi Ramës.
Kreu i bandës së Avdylajve provoi sot se Vangjush Dako, është peng dhe nuk mundet ta mbajë në këmbë alibinë se ai komunikon vetëm me zgjedhësit dhe vetëm për interes të qytetarëve.
Astrit Avdylaj u provoi sot shqiptarëve se me Dakon nuk qan vetëm hallin e votave, por edhe hallin e forcave speciale, kur i vijnë në derë, qan edhe hallin e marrjes së tenderave të punëve publike në Durrës, edhe marrjen e lejeve e licencave publike, ashtu si edhe regjistrimin e paligjshëm të pronave të paluajtshme.
Edi Rama po tenton bllokimin e dosjes 339, sepse me arrestimin e Dakos zbardhet me prova ligjore denoncimi i opozitës dhe konstatimi i vëzhguesve ndërkombëtarë se zgjedhjet e 2017-s u blenë.
Skema e Edi Ramës për ta paraqitur skandalin në të cilin janë përfshirë ai dhe uzurpatori i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako si një normalitet dhe akuzat si luftë politike, nuk do të funksionojë.
(B.B/ Faxweb.al)